Njëra ndër çështjet me të cilat “lavdërohen”, institucionet komunale të Gjilanit janë edhe investimet infrastrukturore nëpër lokalitete të ndryshme të Komunës. Por, banorët e një rruge në Gjilan, investime të tilla nuk po i ndjejnë aty ku ata po jetojnë.
Përkundrazi, ata thonë se kanë shumë nevoja, disa të domosdoshme, por që ndihen si të harruar, pasi nuk po preken nga “dora” e pushtetit, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Janë këta banorët e rrugës “Vaçe Zela”, në Gjilan (rruga për Zabel), e të cilët si të domosdoshme thonë se e kanë kanalizimin dhe asfaltimin e rrugës ku jetojnë.
Në emër të atyre banorëve, Blerim Jashari thotë për Portalin 2LONLINE.com, se në këtë pjesë të Gjilanit, në këtë rrugë, jetojnë mbi 50 familje dhe kur kemi parasysh se jemi afër qendrës së qytetit dhe kur po i shohim investime në pjesë të tjera, po ndihemi të harruar.
Ai thotë se banorët e kësaj rruge kanë kërkesë të kamotshëm, e për të cilën janë në dijeni edhe institucionet përkatëse, për kanalizim dhe asfaltim të rrugës, e cila ka një gjatësi mbi 180 metra, e ku janë mbi 50 shtëpi.
Madje këta banorë kanë bërë edhe peticion, kanë shprehur brengat te zyrtarët përgjegjës të komunës, kanë marr premtime se këto projekte do të kryhen në periudha të caktuara, por që ato periudha kanë kaluar dhe gjendja është e njëjtë, tepër e keqe, thotë Jashari.
Ai shtoi se banorët e kësaj pjesë duan konkretizim të këtyre projekteve, të ndihen edhe ata se janë pjesë e Komunës së Gjilanit, përndryshe, nëse injorohen mund të ketë edhe reagime qytetarie.