Shkruan: Fehmi SYLEJMANI
/2L ONLINE/ Edhe pse vonë, më në fund dalin në pah dallaveret në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, pasi që më tashti zyrtarisht dhe publikisht ka shpall konkurs për plotësimin e vendeve të lira të punës edhe atë në kohë caktuar. Vende të cilat vazhdimisht janë mbajtur të fshehura. Duke ju referuar konkursit të fundit, të datës 20 nëntor 2015, të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan, rezulton se janë rreth 50 vende të lira të punës në sferën e arsimit, përkatësisht në mësimdhënie. Kjo dëshmon dhe e vërteton faktin dhe argumentin e përhershëm dhe insistimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë të Lëvizjes Vetëvendosje!, se në këtë drejtori ka shkelje flagrante të ligjit, duke mos respektuar fare dispozitat ligjore.
Në mënyrë permanente kemi kërkuar që të shpallen vendet e lira të punës në këtë sektor, sepse në të kundërtën është shkelje ligjore, gjë që paraqet edhe vepër penale, mirëpo këto kërkesa tona të drejta vazhdimisht janë injoruar nga drejtuesit më të lartë të kësaj drejtorie, duke mos na dëgjuar fare. Mirëpo insistimi ynë i vazhdueshëm që në këtë dikaster ka shkelje ligjore dhe po fshihen vendet e lira të punës, si kundër që edhe në çdo seancë të Kuvendit Komunal dhe në çdo mbledhje të komitetit për arsim, kemi potencuar se nuk po shpallen vendet e lira të punës, e që në komunën e Gjilanit gjithnjë kemi theksuar se janë mbi 50 mësimdhënës që punojnë pa konkurs dhe pa respektim të dispozitave ligjore, ka ndikuar që edhe Inspektorati Rajonal i Arsimit të verifikon situatën dhe gjendjen aktuale në arsim, duke konstatuar dhe identifikuar shumë shkelje ligjore, ndonëse edhe kjo paksa me vonesë.
Edhe në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, duke i propozuar mbi 20 rekomandime racionale, Drejtorisë së arsimit në Gjilan, përveç tjerash kemi rekomanduar që të ndërpriten urgjentisht punësimet e personelit arsimor përmes formës së zëvendësimeve pa zbatimin e procedurave ligjore, të shpallen vendet e lira të punës si kundër edhe transferet e mësimdhënësve nga një shkollë në shkollën tjetër, të ndërpriten me këtë formë, sepse ka transfere edhe prej komunave tjera.
Logjikisht shtrohet pyetja tashmë, si është e mundur, që ky konkurs të shpallet me rreth 50 vende të lira të punës më 20 nëntor, e në muajin korrik në konkursin e rregullt të shpallen vetëm dhjetë vende të lira të punës. Kjo vërtetë nuk do koment, sepse këtu kem të bëjmë në vazhdimësi me punësime të paligjshme, në baza partiake dhe nepotizëm.
Si do të veprohet tanimë kur dihet se në të gjitha këto vende të shpallura punojnë tashmë mësimdhënës, që janë futur në sistem të pagave, e që ka gjasë që në konkurs edhe ta humbin vendin e punës, nëse vërtetë Komisioni Intervistues punon drejtë dhe pa ndikime. Kush do të jep llogari dhe përgjegjësi për këtë dukuri?!
Gjithashtu në këtë konkurs, vërehet se kemi prapë fshehje të vendeve të lira të punës, meqë disa vende fare nuk janë shpallur dhe për çudi nuk kemi sërish asnjë arsyetim. Prapë mungon shpallja e vendit të punës brenda Drejtorisë Komunale për arsim, zyrtar për shkolla të mesme, ndërkohë që ka një vit që në këtë vend punon një punëtor pa kualifikim dhe pa konkurs. A nuk është kjo shkelje ligjore?! Ku po struken organet relevante, që nuk ndërmarrin asgjë në këtë drejtim?!
Nuk do të jetë fare befasi që edhe në ditët në vijim të kemi sërish një konkurs të radhës, sepse shkeljet ligjore vazhdojnë, e mbase ndokush një ditë do të jep llogari për të gjitha këto shkelje drastike – ligjore. /2L ONLINE/
(Autori është anëtar i Kuvendit Komunal dhe njëherësh anëtar i Komiteti të Arsimit në Gjilan nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!)