(2LONLINE) – Drejtues të Kompanisë Rajonale për Ujë “Hidromorava”, kanë njoftuar për aplikimin e reduktimeve më të ashpra që kanë filluar t’i ndërmarrin si masë për të dal nga gjendja e rëndë, për shkak të situatës së vështirë në të cilën ndodhet qyteti i Gjilanit sa i përket furnizimit të qytetarëve me ujë të pijes, sidomos pas kësaj periudhe pa reshje.
Aktualisht niveli i ujit në Liqenin e Përlepnicës që njëherësh është edhe burimi kryesor i furnizimit me ujë për qytetin ka rënë shumë dhe mungesa e të reshurave atmosferike po e vështirëson akoma këtë gjendje
Fillimisht, nga sot, për pesë ditë me radhë do të aplikohet ky orar i reduktimeve për këto lokalitete edhe atë duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
Përlepnicë
Shillovë ( të dyjat)
Velekincë
Livoç i Ultë
Kufcë e Ultë
Kufcë e Epërme dhe
Zabel i Sahit Agës
Përndryshe, drejtues të Hidromoravës kanë apeluar për shfrytëzim sa më racional të ujit të pijes dhe të mos e keqpërdorin, ndërsa kanë mbuluar qytetin me posterë, në të cilën paralajmërohet se nëse vazhdon kjo gjendje, ujë të pijes nga Penda e Përlepnicës mund të ketë vetëm edhe për një muaj, andaj apelohet për kujdes maksimal gjatë përdorimit të ujit.
Shpresa e vetme mbeten reshjet të cilat mund ta zbusin problemin, në të kundërtën nëse kemi këtë gjendje pa të reshura atëherë situata mund të përkeqësohet edhe më shumë ngase duke u ulur niveli edhe më shumë, mund të paraqiten probleme serioze në trajtimin e ujit
Përndryshe, nëse niveli bie në 9 metra të fundit të akumulacionit në Përlepnicë, teknikisht nuk mund te përdoret uji për shkak të kualitetit të tij në fundin e liqenit dhe për këtë arsye ky vëllim i mbetur ndryshe njihet edhe si vëllim i vdekur i akumulacionit. /2lonline/