Edhe një futbollist shqiptar iu bashkua emrave të shumë futbollistëve shqiptarë që luajnë në ligën e parë zvicerane. Florian Kamberi ka nënshkruar kontratë me ekipin e Grasshopperit.
Emrave të shumtë të talenteve shqiptarë që luajnë në ligën zvicerane iu shtua edhe një talent i ri. Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Florian Kamberi, i cili me talentin e tij është duke mahnitur në futbollin zviceran.
Sukseset e tij të deritashme kanë bindur ekipin e Grasshopperit që të nënshkruajë me të. Para se të nënshkruajë me këtë skuadër, Floriani ka luajtur për ekipin Rapperswill, në të cilin ai ka qenë lojtari kryesor, duke e ndihmuar që ky ekip të ngjitet një ligë më lart, transmeton albinfo.ch.
Djaloshi i cili jeton në Cyrih, por me prejardhje nga Glogjani i Pejës, kishte oferta të shumta nga ekipet zvicerane, por si përfundim vendosi të nënshkruajë me Grasshopperin.
Fillimisht ai ishte aktivizuar me grupmoshat U-21, ku shfaqi një performancë të shkëlqyeshme, në 11 ndeshje bëri 9 gola dhe 5 asistime.
Kjo bëri që Floriani të bëhet pjesë e ekipit të parë dhe të nënshkruajë me ekipin e Grasshopperit deri në verën e vitit 2017. Ndryshe Floriani llogaritet një nga talentet më të mëdhenj të ligës zvicerane.