/2L ONLINE/ – Po ikë edhe një vit i sfidueshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili pothuajse është vështirë të rrumbullakohet dhe të jepet një vlerësim real se çfarë ndodhi në të vërtetë, ku ishim, nga shkuam dhe ku jemi sot.
Sfidat ishin mbase krejt të çuditshme. Ndodhën ngjarje që shikuar në koherencë penguan zhvillimin normal të këtij shteti të brishtë që ende ballafaqohet me ecje normale por edhe me prosperim të natyrshëm sikurse shtetet evropiane.
Evropa si duket pavarësisht krizave të saj të brendshme më shumë politike e interesave të skajshme të fuqive të mëdha, megjithatë po arrin që të zhvillohet dhe t`i tejkaloj premisat e planifikuara në të gjitha aspektet.
Në këtë pikë Kosova e mishëruar me idealet evropiane po mbetet një e thënë që vështirë të bëhet. Nëse dje kemi bërtitur me të madhe duke gjetur fajtorët si në Evropë e gjetiu sot nuk e di se ku do mbështesim këtë tezë të tejshkuar. Nëse dje kemi thënë se evropa na bëri padrejtësi historike sot nuk kemi arsye të mëdha të drejtojmë gishtin vetëm kah Evropa.
Topi tani është në duart tona. Çfarë bëmë ne që të tregohemi se jemi evropian? Çfarë demokracie zhvilluam në Kosovë që të tregohemi se jemi evropian? Këto janë pyetje dhe shumë të tjera që duan mbase edhe shpjegim.
Asnjëri nga ne nuk u ndalëm dhe të mendojmë se koha ecën dhe Evropa nuk mund të pret që shqiptarët t`i rregullojnë çështjet e tyre të brendshme historike dhe pastaj të bëjmë veprimet që janë në kohezion me Evropën.
Kjo është vetëm një pjesë figurative e asaj se çfarë ne dukemi dhe se si na duan evropianët. Ka ikur koha kur Ballkani i trazuar ka qenë qendra e vëmendjes botërore dhe nga ky kontekst shqiptarët e Ballkanit e në veçanti shteti i Kosovës të jenë në agjenda të tyre dhe prioritet i zhvillimeve evropiane. Askush nuk ka kohë të pret e sidomos proceset që janë edhe dialektike zhvillimin ose shtetbërjen e ngadalshme të shteteve që janë në formim e sipër ose edhe shtetet që janë në zhvillim.
Politika si art i së mundshmes edhe nga aspekti filozofik, sociologjik nuk është asgjë tjetër veç se aspiratë për t`u zhvilluar dhe në trend me zhvillimet e përgjithshme ndërkombëtare.
Njerzit lindin të veçantë, por assesi nuk ka mundësi që jeta të dizajnohet pa qenë në koordinim të përbashkët përtej së veçantës.
Ballkani në shpejtësi duhet të shikohet nga Evropa pjesë e pandarë e saj. Duke parë ndryshimet botërore, luftërat e skajshme në lindje, shfaqja e interesave për dominim politik-ekonomik, integrimi i saj paraqet vlerë edhe për evropën e bashkuar. Nëse mendohet evropianizimi i Ballkanit atëherë domosdoshmërish koha nuk duhet të jetë pengesë e barasvlerave të Ballkanit me Evropën. Historia e kaluar ka treguar qartë se një Ballkan i pabalancuar paraqet rrezik potencial për shpërfaqje të tjera që nuk paraqesin vlera evropiane.
Interesat siç e thash edhe më lartë kanë prekur Ballkanin që ka ndjeshmëri tejet të madhe, prandaj veprimet për evropianizim janë të domosdoshme. Kjo edhe nga fakti se Ballkani ka nevojë për perëndimin dhe anasjelltas. Sa më shumë që humbet kohë aq më shumë thyerjet brenda kornizës së quajtur Ballkan do të jenë të pashmangshme.
Ndryshimet që po ndodhin anekënd në çarqet politike botërore, evropiane kanë refleksion edhe tek ne. Kjo edhe është dialektike.
Kosovës me zhvillimet e këtij viti gradualisht po i ikin hapat për të zënë trendet civilizuese dhe evropiane. Shteti i ri ka nevojë për dije, dhe kjo dije nga ajo që shihet po mungon nga klasa politike (në veçanti nga opozita e cila proceset nuk po mundet t`i sheh më larg se vetvetja) për t`u integruar në mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtar.
Edhe Hasan Prishtina ishte i pakënaqur me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të 29 korrikut 1913 që e njihte Shqipërinë e Pavarur në kufijtë e sotëm. Megjithatë Hasan Prishtina punoi për një Shqipëri evropiane.
Andaj sot kemi miq, dy shtete të pavarura të cilat kanë lidhshmëri gjenetike dhe kombëtare ku më shumë se kurrë jeta lind kah përendemi. E kam thënë disa herë se shekulli XXI është shekulli i shqiptarëve të Ballkanit. Në këtë horizont Kosova gjendet në gjeostrategjikë evropiane, mirëpo kjo nuk mjafton nëse Kosova si shtet i ri nuk përmbyllë kaptinën e shtetëformimit dhe ngritjen e saj përkrah zhvillimeve tjera evropiane.
Shqiptarët e Kosovës apo përballja me historinë janë dy nocione që bien ndesh njëra me tjetrën. E para arriti natyrshëm të mund historinë e cila me shekuj ishte kundër saj. Nga ky vështrim evropianizimi i Kosovës del të jetë e vetmja alternativë për t`u hapur rrugë shqiptarëve që janë përtej kufijve të dy shteteve sovrane. /2L ONLINE/