Gani Neziri, anëtar i kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan thotë të ketë vendosur që të kandidohet në garën për deputet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në 11 qershor.
“Tani kanë vendosur që të shpreh publikisht vullnetin tim politik, të paraqitjes si kandidat për garën për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, normalisht, duke e kërkuar edhe miratimin nga partia ime”, thotë Neziri për 2LONLINE.
Ai thotë se duke i parë rrjedhat e fundit në politikën e përgjithshme kosovare dhe duke mos u pajtuar me këto zhvillime të zhurmshme, në kuptimin ‘’secili kundër secilit’’, ka vendosur që të jetë në garë për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Këtë synim e kam gjithmonë me shpresën se do të mund të kontribuoj pozitivisht për të ecur drejt interesave para se gjithash kombëtare se sa partiake. Por, për të arritur fuqinë e ndikimit pozitiv në ndryshimin e gjendjes së brishtë aktuale, më duhet edhe vota e qytetarëve”, shprehet Neziri.
Ai është i njohur për publikun, në veçanti edhe për punën dhe angazhimin e tij në Drejtorinë Komunale për Gjeodezi dhe Kadastër në Gjilan që nga paslufta e deri para tri viteve. Sipas tij, qytetarët, ka kohë që ndjehen të lodhur nga disa prej deputetëve që vet i kanë votuar sepse nuk treguan dijeni të mjaftueshme dhe nuk e arsyetuan besimin që morën, prandaj duhet të ndërrohen disa prej tyre dhe një nga alternativat për kandidat është edhe vet ai.
“Unë kërkoj votën e qytetarëve që i kanë besuar angazhimit tim të deritanishëm kudo që isha aktiv. Kërkoj votën e krejt atyre që ishin të kënaqur me punën time që kam bërë edhe në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi në Gjilan, pavarësisht nga cila parti janë, apo përkrahës dhe votues të cilitdo subjekt që janë”, thotë tutje Neziri.
Ai beson se do ta ketë përkrahjen e qytetarëve të shumtë, por megjithatë ai ka një porosi edhe për të gjithë ata që mund të mos e mbështesin me votë.
“Jam i vetëdijshëm gjithmonë se nuk mund të kem përkrahjen absolute, sepse, do të ketë edhe qytetarë që mund të kenë preferenca tjera, por se nga ta kërkojë që nëse veç nuk do të më votojnë mua, i lus ta votojnë cilindo nga kandidatët anamoravas, sepse, ky është interesi ynë i përbashkët”, thotë Neziri i PDK-së
Sipas tij, nëse në Anamoravë marrin vota kandidatët e komunave tjera, pavarësisht partisë, atëherë qytetarët e kësaj ane duhet ta dinë se ata votat i marrin këtu, por se asfaltin e shtrojnë atje, në komunat e tyre.
Neziri pret që në këtë drejtim ta ketë mbështetjen e plotë të partisë për të qenë në listën e kandidaturave dhe për t’u mbështetur edhe me votë për të qenë pjesë e përbërjes së re të Parlamentit të Kosovës, që do të dali pas zgjedhjeve të 11 qershorit.