Ka kohë për dialog dhe ka kohë kur duhet kthyer goditjet armiqësore.
Shkruan: Arsim KASTRATI
Taksimi i parë prej 10% ndaj mallrave serbe erdhi mu para raundit të fundit të bisedimeve të Brukselit, në të cilin Vuqiqi për shkak të këtyre masave të qeverisë së Kosovës, apo për shkak të pretekstit që ato i dhanë, nuk ishte në formë për çfarëdo diskutimesh konstruktive, nëse për të tilla bisedime ka qenë ndonjëherë ai dhe ekipi i tij.
Dhe kjo taksë mund të ishte e drejtuar kundër bisedave të paralajmëruara për ‘korrigjimet territoriale’ në mes të presidentit kosovar dhe atij serb.
Ndërsa për taksën prej 100% ndaj mallrave të Serbisë e cila u vendos pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol, askush nuk mund të thotë që nuk është një kundërgoditje e Kosovës ndaj agresionit diplomatik të Serbisë i cili kulmoi para disa ditësh në Dubai.
BE reagoi me furi kundër këtyre masave të qeverisë kosovare, reagoi fort edhe Kurtzi i Austrisë, kundërshtimi i ambasadës amerikane në Prishtinë ishte pak më i butë, Gjermania më duket po heshtë e ndërkaq ka edhe politikanë dhe analistë politik të cilët po e arsyetojnë veprimin e qeverisë së Kosovës.
Është e rrezikshme të dialogohet me Serbinë për derisa ajo në të njëjtën kohë edhe dialogon me Kosovën edhe godet fort mbi sovranitetin politik të saj.
Edhe Kosova do të duhej tash e tutje ti përgjigjet Serbisë në mënyrë sa më adekuate duke ‘luajtur’ njëkohësisht në të dy krahët: edhe dialog edhe mbrojtje ndaj sulmeve – çfarëdo qofshin ato.
Por për këtë strategji s’do mend që asaj i nevojitet një sforcim dhe një dakordancë më e madhe politike si dhe një diplomaci më kompetente e cila do të arrinte që para opinionit ndërkombëtar ta arsyetonte mbrojtjen e nevojshme të shtetit të cilin e përfaqëson kundrejt agresionit të Serbisë fqinje.
Para se të bëhet vonë dhe të shkaktohen dëme të mëdha, liderët institucional dhe partitë politike të Kosovës, do të duhet që një orë e më parë t’i ndërprenë politikat paralele dhe kontradiktore në vazhdën e ballafaqimit me Serbinë!
Mund të përlahen zotërinjtë për çështje të tjera (për ‘çmimet e perimeve’ për shembull), por karshi Serbisë të çakorduar dhe të konfliktuar siç po sillen kohëve të fundit – “njëri thumbit e tjetri patkoit”, nuk bënë!
Kosova është për vazhdimin e dialogut me Serbinë por ajo nuk mund të mos mbrohet ndërkohë që Serbia ia minon sovranitetin politik gjithandej forumeve dhe institucioneve të rëndësishme të politikës ndërkombëtare.
Veç, me Amerikën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën dhe shtetet tjera përkrahëse, duhet patur kujdes dhe duhet ruajtur raportet miqësore!
Me ndihmën e miqve kemi ardhur deri këtu dhe me ta së bashku mund të shkojmë përpara, ndryshe s’bënë!