Kërstimir Pantiq, kryetar i zgjedhur i veriut të Mitrovicës, vazhdon ta bllokojë procesin e betimit të tij, por edhe të kryetarëve të tjerë serbë të komunave të Kosovës, për shkak të mospranimit që në ceremoninë solemne të kuvendeve komunale të jetë prezente logoja e shtetit të Kosovës.
Sipas ligjeve të Kosovës, 10 janari është afati i fundit për betimin e secilit kryetar të Kosovës.
Ndërkohë që për këtë hezitim të krerëve të komunave serbe në veri, nuk ka reagime nga ana e institucioneve të Kosovës, të cilët ende nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me veprimet që duhet të merren, në rast se kalon afati i fundit dhe betimi i tyre nuk ndodh.
Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, tha për “Zërin”, se çdo veprim duhet të jetë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, kjo vlen edhe kur duhet të bëhet betimi i kryetarëve komunalë.
Por sa u përket masave që duhet të merren ndaj tyre që shkelin dhe nuk respektojnë institucionet, Kuçi thotë se duhet të reagojë Ministria e Administratës së Pushtetit Lokal, si përgjegjëse kryesore për mbikëqyrjen e tyre.
“MAPL është kompetente direkte për mbikëqyrje të punës së pushteteve komunale dhe vlerësimi i tyre do të merret parasysh nga Qeveria”, u shpreh ai.
I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, ministri i MAPL, Slobodan Petroviq, ka thënë se pas betimit, 12 janari është afati i fundit kur duhet të bëhet konstituimi i komunave në veri të Kosovës, i cili duhet të bëhet në pajtim me ligjin në fuqi.