Nga sot edhe 12 objekte publike janë bërë me masa të efiçiecës së energjisë. Kjo falë investimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përmes kredisë së Bankës Botërore për Projekti të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripëtëritshme, ndërsa vlera e përgjithshme e kësaj faze arrin në 2.3 milionë euro.
Në inaugurimin e kësaj faze të projektit ishin Ministri i Zhvillimit Ekonomik – Valdrin Lluka, Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë – Marco Mantovanelli, Ministri i Shëndetësisë – Uran Ismaili, Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës – Basri Sejdiu dhe përfaqësues tjerë të institucioneve dhe QKUK-së.
Pas prerjes së shiritit inaugurues para objektit të Klinikës të Stomatologjisë të QKUK-së, i cili është njëri nga objekte ku janë zbatuar këto masa, Ministri Valdrin Lluka tha se me zbatimin e këtij projekti jo vetëm që do të ketë kushte më të mira për pacientët dhe stafin, por do të ketë edhe kursime të energjisë elektrike në fatura dikur rreth gjysmë milion euro, gjë që do të ndikojë edhe në kursimin e buxhetit të Republikës së Kosovës.
“Projekti për 12 objektet e para parasheh një investim rreth 2.3 milionë euro, e po ashtu presim edhe 20 objekte të tjera që të përurohen deri në shtator të këtij viti, kurse janë në fazën finale të tenderimit edhe 23 objekte shtesë, të cilat shpresojmë se me një intensitet të punës do të përfundohen deri në fund të këtij viti”, u shpreh Ministri Lluka.
Kreu i MZHE-së theksoi se këto 50 objekte që mund të përfundojnë deri në fund të këtij viti do të ndihmojnë dukshëm në konsumin më të ulët të energjisë elektrike të vendit. Ai tha se projekti me Bankën Botërore është shumë i madh, dhe parasheh renovimin e rreth 140 objekteve që të bëhen efiçiente, ndaj shprehu falënderimin e tij për kontributin që ky institucion po jep në fushën e EE-së.
Ndërsa, Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli tha se ky institucion po mbështet Qeverinë e Republikës së Kosovës për të krijuar objekte me energji efiçiente dhe energji të ripërtëritshme me një hua prej 31 milionë dollarësh dhe objektivat e këtij projekti janë që të ketë më shumë efikasitet në shpenzimin e parasë publike.
“Ne presim që pas përfundimit të këtij projekti me këto kursime fondet publike të kursehen në shumën rreth 18 milionë euro në vit, ndërsa objektivi i dytë është që të zvogëlohet kërkesa për energji, objektivi i tretë është ambienti më i pastër dhe objektivi i katërt është që përmes këtij projekti të krijohen vende pune”, theksoi Marco Mantovanelli.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli tha se renovimi i këtyre objekteve spitalore është model i mirë që të bëhet edhe tek objektet e tjera spitalore dhe nuk do të ndalemi por do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me reforma të tilla të cilat kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit të pacientëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Nga ana e tij. Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu vlerësoi se ky projekt është një ndihmesë e madhe duke llogaritur se me krijohen mundësitë që mjetet e kursyera të shfrytëzohen për barna a ose për projekte që janë jetike për pacientët.