Riciklimi i mbeturinave paraqet një industri me prosperitet dhe potencial të madh, por edhe determinon mjedis më të pastër. Kjo e bënë të rëndësishëm separimin e mbeturinave dhe përpunimin e mëpastajshëm të tyre.
Me qëllim të analizimit të llojit të mbeturinave e më pastaj edhe pasjes së një pasqyre më të qartë rreth mundësive që ofrohen për investime në fushën e riciklimit, Kompania Rajonale për Grumbullimin e Mbeturinave “Eco-Higjiena” në Gjilan, mbështetur nga GIZ-i gjerman, është duke e realizuar projektin e kategorizimit të llojeve të mbeturinave nga mostrat e marra nëpër zona të ndryshme në komunë, edhe atë në mjedise të biznesit dhe amvisërisë.
Drejtues të kësaj kompanie thanë për Portalin 2LONLINE.com, se pasi të kryhet ky separim, do të bëjnë një analizë, për të ardhur deri te rezultatet mbi llojet e mbeturinave dhe sasinë e tyre, të gjetura këto që do të mund të shërbenin për programe dhe iniciativa lokale apo edhe rajonale, për mundësinë e investimeve në përpunimin e mbeturinave, riciklimin e tyre.
Duke parë nga afër punët që po bëhen në këtë drejtim, Senad Ramaj, drejtor i “Eco-Higjienës”, tha për 2LONLINE.com, se këtu, në këtë moment, po bëhet separimi i mbeturinave, të mostrave të marra nëpër lokacione të ndryshme në Gjilan, si nga amvisëritë por edhe bizneset, e nesër do të merren sërish mostra të reja, kështu për disa ditë, dhe do të shohim se sa kemi shembull, plastikë, sa kemi letër, sa kemi qelq, sa kemi mbeturina organike…, pastaj qëllimi është që të dimë sasinë e cilitdo lloj të mbeturinave, për t’u orientuar më tutje, për cilat lloje të mbeturinave do të kishte qenë interesant, ta zëmë, të investohet me qëllim të përfitimit nga riciklimi i këtyre mbeturinave.
“Jo secila mbeturinë te ne këtu në Kosovë është e reciklueshme, sepse për shkake ekonomike janë të papërballueshme, nëse nuk ka subvencionime dhe përkrahje të formave ët ndryshme, por janë disa që janë të kërkueshme e që mund të bëhen. Kompania, apo ndonjë investitorë tjetër që do të donte të investonte në këtë fushë, do të kërkonte që t’i ketë të dhënat e sakta të llojeve të mbeturinave, konkretisht llojet që janë këtu dhe sasia që grumbullohet”, ka thënë Ramaj për 2LONLINE.com.
Përndryshe, sipas tij, ky projekt që po e realizon kompania, ka bërë që të angazhohen punëtorë shtesë, që për disa ditë, edhe atë së paku katër herë brenda vitit, ta bëjnë separimin e mbeturinave, nga mostrat për analizim.
“Besoj se deri ka fundi i këtij viti do ta kryejmë këtë dhe do të nxjerrim të dhëna të sakta të sasisë dhe llojeve të mbeturinave që i kemi në rajon, fushëveprim i Kompanisë Eco-Higjiena”, ka thënë drejtori Ramaj.
Përndryshe, përgjegjës të kompanisë që po e drejtojnë këtë projekt thanë se për momentin janë duke e bërë kategorizimin e llojeve të mbeturinave të mostrave të marra nga katër zona të ndryshme në komunë dhe nga ajo që shihet tani janë klasifikuar disa kategori si: plastikë e rrumbullakët, plastikë e sheshtë, karton, letër, tetra pak, tekstil, metal me ngjyrë, alumin, qelq, dru, mbeturina ndërtimi, mbeturina nga ushqimi, mbeturina e gjelbër (të kopshtit), e të tjera. Natyrisht në fund të projektit, do të përpunohen të gjeturat e plota dhe do të kemi të dhëna të sakta /2LONLINE/