“Nga 1 korriku 2012, më shumë se 10 vite, tarifat e mbeturinave shtëpiake në rajonin e Gjilanit janë 5 euro në muaj. Që nga ajo kohë, pagat e punëtorëve janë rritur mbi 30% kurse kostot e karburantit me 50%. Së fundmi, Ministria e Ekonomisë vendosi të rrisë tarifat e deponise me më shumë se 37%”, ka bërë me dije, Senad Ramaj, drejtor në Eco-Higjiena.
Sipas tij, se sa i rëndësishëm është deponimi korrekt i mbetjeve, është treguar jo vetëm gjatë pandemisë.
“Çdo javë dhe në të gjitha kushtet atmosferike, punonjësit tanë mbledhin mbeturinat dhe i transportojnë në deponi. Kjo është një sasi totale prej 40 milionë kilogramë mbetje në vit Për vitin e ardhshëm 2023 do të duhet të paguhen 315 mijë euro. Ndërsa, nga viti 2024, do të shtohen 40,000 € tjera shtesë dhe kështu për çdo vit tjetër përtej vitit 2027”, ka thënë Ramaj.
“Punonjësit e Eco-Higjienës meritojnë pagë të drejtë kurse ne, në anën tjetër, rritjen e kostos nuk mund ta mbulojmë me tarifën e tanishme 5 € për amvisëri. Prandaj, si të gjitha kompanitë për grumbullim-bartjen e mbeturinave në Republikën e Kosovës, edhe Eco-Higjiena ka aplikuar për rritjen e tarifës për 1.50 € në muaj. Edhe PAMKOS është duke e mbështetur një gjë të tillë. Në disa komuna si Kaçaniku, Istogu dhe Ferizaj etj., tashmë kanë aprovuar rritjen e tarifës.
Në interes të higjienës dhe shëndetit të popullatës, Senad Ramaj apelon që të pranohet rritja e tarifës dhe tarifat të paguhen rregullisht si deri më tani. Kështu, punonjësit e Eco-Higjienës do të jenë në gjendje të vazhdojnë ta kryejnë punën e tyre me përkushtim e besueshmëri, thotë ai. /2LONLINE/