Për ditën e premte është ftuar seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit, për të vazhduar aty ku ka mbetur herën e fundit, te zgjedhja e kryesuesit të ri.
Siç dihet, Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e javës së kaluar, të cilën e kishte udhëhequr anëtari më i vjetër, Ismajl Kurteshi, me 19 vota për dhe një kundër, e kishte shkarkuar kryesuesin Arianit Sadiku.
Por, kur erdhi radha me u zgjedh Kryesuesi i ri i Kuvendit, kjo nuk ka mundur të bëhet atë ditë, meqë ishte vetëm një propozim, Kushtrim Kadriu (Vatra) ndërkaq, sipas statutit, duhet të jenë “më shumë se dy propozime”. Me që ishte vetëm Kushtrim Kadriu (edhe ai i vet propozuar), seanca i ndërpreu punimet për t’u thirrur për një ditë tjetër, e siç u bë me dije sot, seanca u ftua për nesër (e premte) me fillim në ora 10:00.
Ndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka 35 anëtarë, LDK ka 14, Vetëvendosje ka 10, PDK ka 5, AAK 1 dhe një tjetër ndonëse me sigël të AAK-së, vepron e pavarur, pastaj nga një e kanë edhe AKR-ja, Vatra, KDTP-ja dhe LS-ja.
Përndryshe, zhvillimet e reja në Kuvend, i prodhoi fakti që Vetëvendosje dhe PDK-ja, prishën koalicionin e tyre dhe pozita mbeti pakicë në Kuvend. Tani opozita si shumicë mblodhi nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme në të cilën edhe u shkarkua kryesuesi që drejtonte këtë kuvend deri në atë ditë.
Por, kur është në pyetje, kryesuesi i ri, duket se subjektet politike kalkulojnë me atë se a u konvenon apo jo, ta marrin këtë pozitë, në këtë moment, andaj edhe në seancën e kaluar as LDK, e as PDK, si dy parti me ma shumë anëtarë të taborit opozitarë, nuk nxorën kandidatë, duke bërë që anëtari i vetëm i Vatrës, i cili, si opozitar, njihet kritik i zëshëm, për të gjitha pushtetet, Kushtrim Kadriu të vet propozohet, i bindur që e ka mbështetjen, sidomos të LDK-së dhe se do t’i ketë votat e mjaftueshme.
Por, “behanja” që doli me mungesë të propozimeve të mjaftueshme si e parasheh statuti i komunës, duket se “ i hutoi”, të gjithë, ia dha mundësinë kryesuesit të asaj seance ta ndërpresë atë dhe ta shtyjë për një ditë tjetër.
Ajo që ra në sy pra, gjatë seancës së kaluar, ishte fakti se LDK e PDK, nuk nxorën kandidatura, Kushtrim Kadriun nuk e propozuan partnerët opozitarë, por e lanë të vet propozohet dhe në fund, nuk ia plotësuan kriteret edhe me dy propozime tjera formale, nëse veç ishin pajtuar që Kuvendi të drejtohet nga Kadriu.
Në seancën e nesërme, a do të jetë dita kur Kadriu i Vatrës do të ulet në ulësen e kryesuesit, apo mund të luhen edhe skenarë tjera, mbetet të shihet, por se nuk duhet përjashtuar edhe skenare tjera.
Njëri variant është të luhet skenari i njëjtë, që Kadriu të jetë i propozuari, që do të ketë vota të mjaftueshme nga opozita, natyrisht atij do t’i bëhen kundërkadidatët sa për sy e faqe.
Variant tjetër, është “djegia” e Kadriut dhe në pah të dalë një propozim tjetër, që do të ketë mbështetje të mjaftueshme, së paku minimumin e votave për të kaluar si propozim.
Natyrisht ecuria e seancës së nesërme do të determinojë edhe zhvillime të reja politike. /2LONLINE/