Gjilan – (2LONLINE) – Asnjëherë nuk kishte munguar vullneti i shqiptarëve për t’i dalë zot Kosovës e për ta çliruar nga kthetrat serbe,por një okupator që në hangarët e veta ushtarake kishte grumbulluar arsenal ushtarak të teknikës me moderne të një ish ushtrie federative e quajtur Jugosllavi dhe e cila renditej si armata e tretë në Evropë, ishte e pamundur të luftohej me duar thatë apo me kuaj e gomarë të ngarkuar në Shqipëri me automatikë e armë të lehta, që ju kishin mbetur në duar atyre që e dogjën dhe e rrënuan Shqipërinë në një “ Revolucion të Vonuar Demokratik “.
Qeveria e cila udhëhiqej atë botë nga kryeministri Bujar Bukoshi garantonte se Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës ( FARK-u ) do t’i ketë armët më moderne që do të përdoren në luftën për çlirimin e Kosovës. Po të ishte ndryshe,atëherë çfarë kuptimi do të kishte krijimi i Ministrisë së Mbrojtjes,Shtabin e Përgjithshëm, dhe Shtabet e Mbrojtjes Territoriali nëpër komuna të Kosovës ?
Njerëzit që u kyçën në këto struktura ushtarake nuk u kyçen me hamendje, po as prej naiviteti,por me bindje e vullnet dhe me besim të plotë në institucionet tona. Ishte e kuptueshme se një veprimtari e këtillë, e cila tani veç ishte organizuar si në aspektin vertikal të hierarkisë dhe komandimit ushtarak, po aq ishte shtrirë edhe në rrafshin e strukturimit horizontal. Tanimë në komunën e Gjilanit nuk kishte asnjë vendbanim,qytet,fashat e lagjë të vogël që nuk kishte një organizim për vetëmbrojtje. Të gjithë ishim në pritje,në ankth e rrezik permanent për zbulim,dekonspirim e arrestim nga forcat policore e ushtarake e, armët për t’u mbrojtur nuk ishin askund. Nuk thuhej kot se për luftë,përveç vullnetit, duhet të plotësohen tre faktorë kryesorë: Mendja(Penda), Paraja dhe Arma.
Pra, për luftë e vetëmbrojtje duheshin armë e mjete luftarake. Ato priteshin nga dita ne ditë, në një situatë e kohë më të volitshme për vetë rrethanave politike që zhvilloheshin në Kosovë,po edhe mendimet e referencat e miqve tanë,që tanimë përmes Qeverisë së Kosovës në Gjermani bëheshin pa u penguar. Porosia ishte: “Bëni gati njerëzit, armët do të vijnë”
E, Njerëzit ishin gati:
1. Nazmi Musa, komandant Shtabi i Mbrojtjes Territorial për komunën e Gjilanit
2. Sali Hasani, zëvendës i komandantit të shtabit
3. Fehmi Mahmuti, ndihmës i komandanti për çështje moralo-politike
4. Shefqet Ismaili, oficer i lartë i karrierës ushtarake, ndihmës i komandantit për mësim
5. Halit Zuzaku, oficer i lartë i karrierës ushtarake, ndihmës i komandantit për artileri
6. Sabit Zymberi, ndihmës i komandantit për ndërlidhje
7. Agim Salihu zëvendës i ndihmësit të komandantit për ndërlidhje
8. Shaqir Rrustemi, ndihmës i komandantit për siguri
9. Nehat Ramadani, ndihmës i komandantit për siguri
10. Hevzi Maliqi, ndihmës i komandantit për logjistikë
11. Xhavit Hajdari, ndihmës i komandantit për shëndetësi
12. Ukshin Zajmi, ndihmës i komandantit për punë operative
13. Sali Mustafa ndihmës i komandantit për punë operative
14. Fadil Kajtazi, ndihmës i komandantit për zbulim dhe kundërzbulim
15. Sabit Rrustemi, ndihmës i komandantit informim ( zëdhënës )
16. Lirije Kajtazi ndihmëse e komandantit për informim
17. Musa Qerimi, ndihmës i komandantit për strehim të të zhvendosur nga zonat e luftës
18. Shefik Surdulli, shef i sektorit për punë administrative
19. Bejtush Isufi shef i zyrës së prokurorisë ushtarake
20. Halit Zymberi shef i sektorit për sigurim dhe përcjellje të personave në detyrë
21. Xhelal Salihu, Sektori për sigurim dhe përcjellje
22. Xhemail Hyseni kryeshef i financave.
Falë këtyre njerëzve të besueshëm dhe atdhedashës, po edhe të komandantëve të kompanive, që do t’i përshkruaj në vazhdim, u ruajt dhe nuk u zbulua asnjëherë struktura e organizimit të Shtabit të Mbrojtjes Territoriale në Gjilan,edhe për kundër bisedave dhe presioneve që përjetuan disa nga regjimi serb në bisedat informative. /Nazmi Musa/