(2L ONLINE) – Drejtues të Komunës së Gjilanit edhe njëherë kanë kritikuar qeverisjen e kaluar se u ka lënë shumë borxhe të mëdha, me keqqeverisjen e tyre dhe se tani ata po vazhdojnë qeverisjen me Gjilanin, duke aplikuar disiplinën buxhetore, pasi po vazhdojnë të aplikojnë dietën e ashpër, për të kursyer, paguar borxhe por edhe realizuar projekte të ndryshme. Në këtë drejtim, u tha se përgjatë kësaj periudhe nëntëmujore sa po qeverisin me Gjilan kanë paguar rreth 2 milion euro borxh të shkaktuar nga qeverisja e kaluar, që u cilësua si tepër e keqe.
Kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, u tregua preciz, në shifër, duke thënë se kanë paguar deri më tani një sasi të borxhit të trashëguar në vlerë prej 1 milion e 985 mijë e 402 euro, e krijuar nga administrata e kaluar që ishte në Gjilan në mandatet e saja. “Por, që pagesa e këtij borxhi natyrisht që ka pas implikime në investime e zhvillim”, është shprehur Haziri.
“Ne e kemi paguar edhe atë që e kanë ngrënë administrata e kaluar’, ka thënë Haziri, duke aluduar në dreka e darka të pushtetit të kaluar, e duke kritikuar edhe njëherë ish pushtetin për harxhime enorme dhe të pajustifikueshme, duke u lënë kështu borxhe.
Megjithatë, Haziri tha se janë të përkushtuar për të vazhduar me punë të mira duke realizuar projekte të ndryshme në të mirë të qytetarëve duke përmendur pastaj investimet që janë bërë në këtë nëntëmujor, si në infrastrukturë dhe fusha tjera.
Përndryshe, kreu i komunës së Gjilanit edhe njëherë ka kërkuar nga niveli qendror mbështetje për Gjilan duke thënë se kjo komunë nuk duhet të ketë tretman diskriminues si deri më tani.
Haziri ka përmendur qarkoren e tetorit, që sipas tij, duhet t’i përmirësojë kufijtë buxhetor dhe Gjilanit t’i kthehen edhe 5 milion euro.
“Kufijtë buxhetor kanë me u kthye, e Gjilani duhet ti ketë edhe ato 5 milion, kushdo që vjen në qeveri” ka thënë Haziri, i bindur se Gjilani me ato mjete do të vazhdojë me investime të mëtutjeshme. /2L ONLINE/