Policia e Kosovës Stacioni Policor në Kamenicë ka pranuar një informatë nga ankuesi se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari e ka goditur me një mjet të mprehtë-brisk, në krahun e majtë duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima është dërguar në spitalin Regjional të Gjilanit për trajtim mjekësor.
Rasti ka ndodhur në Rogoqicë të Kamenicës, e Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se në vendngjarje ka dal patrulla policore ku ka siguruar vendin e ngjarjes si dhe kanë arrestuar të dyshuarin, e po ashtu është konfiskuar edhe mjeti-brisku me të cilin dyshohet se është kryer vepra.
“Në vendin e incidentit krim-teknika ka filluar me procedimin e vendit, ku hetuesit kanë kryer disa intervista me dëshmitarë respektivisht me familjarët e familjes së dyshuarit pasi që vendi i ngjarjes ishte në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit”, ka thënë tutje Hashani.
Sipas tij, pas intervistimit të të dyshuarit nga ana e Policisë së Kosovës, Prokurori i shtetit ka marrë vendim që të dyshuarit t’i lëshohet vendimi mbi ndalim policor për 48 orë.
Rasti i kompletuar do ti dorëzohet prokurorisë së shtetit në Gjilan.