Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjakovë bashkë me shoqatën “Thirrjet e Nënave” organizuan protestën e dytë me radhë në Gjakovë kundër ministrit Jabllanoviq, dhe për shkarkimin e tij.
Në një komunikatë të kësaj Lëvizjeje thuhet se para mbi 10 mijë protestuesve, Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave” tha se ne nuk do të ndalemi deri në shkarkimin e Jabllanoviqit. “Ende nuk dihet fati i 1650 të pagjeturve. Ne, familjet e tyre, jemi të zhgënjyer që institucionet tona po shkelin mbi gjakun e dëshmorëve dhe martirëve. Sot, fashistët serbë janë brenda Qeverisë së Kosovës, prej nga punojnë për shtetin fashist të Serbisë”, u shpreh Kumnova, duke shtuar se dëshmorët e kombit nuk ranë për një Kosovë të tillë, për njerëz të tillë servilë nëpër institucione.
Koordinatori i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Gjakovë, Driton Çaushi, tha se jemi mbledhur sot këtu për ta mbrojtur dinjitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. “Nuk kam si t’i shmang para meje ato pesë shtylla të kuqe, që simbolizojnë dëshmorët e këtij qyteti. Nuk kam si ta shmang Çabratin, ku prehen martirët dhe ndodhen varrezat që i presin të pagjeturit për t’u kthyer. Ne jemi sot këtu, për shkak se rrezikohet Republika jonë”, tha Çaushi.
Ai theksoi se është shumë ofenduese heshtja e Kryeministrit Mustafa, që përveç se nuk reagon ndaj deklaratave të Jabllanoviqit, ofendon edhe më tutje nënat gjakovare. “Ai i quan këto protesta politike. Ai nuk mund të shmanget nga përgjegjësia e tij. Nuk mund të shmangen nga përgjegjësia asnjëri nga kabineti i tij. Ende nuk dëgjuam asgjë nga ish kryeministri Thaçi, nga personi që është përgjegjës për futjen e fashizmit serb në Qeverinë e Kosovës. Nuk dëgjojmë asnjë fjalë as nga presidentja Jahjaga”, potencoi Çaushi.
Mbi dhjetëra mijëra protestues gjatë gjithë kohës brohorisnin parullat “Jabllanoviq jashtë!”, “Serbia nuk kalon!”, “Poshtë fashizmi!”, “Isa jashtë!”, e të ngjashme.
Në fund të kësaj proteste, aktivisti Driton Çaushi kërkoi lirimin e nëntë aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të arrestuar dje dhe shtoi se këto protesta nuk do të ndalen deri në shkarkimin e fashistit Jabllanoviq. “Dëshmorët tonë dhe të pagjeturit nuk do të na falin nëse ne tani ndalemi. Ne nuk guxojmë të ndalemi në Gjakovë! Ne do të marshojmë drejt Prishtinës! Nuk do të ndalemi deri në largimin e fashistëve nga Qeveria e Kosovës! Ne nuk do të ndalemi deri në largimin e qeverive kriminale dhe të nënshtruara!”, tha në fund Çaushi.