Mbrëmë, rreth orës 20:30, njësitet hetuese rajonale dhe njësitet mbështetëse të Policisë së Kosovës gjatë Implementimit të Planit Operativ, gjatë kontrollit në udhëkryqin e rrugës magjistrale, Gjilan-Kamenicë te vendi i quajtur “Dheu i bardhë” kanë ndalur kamionin me targa regjistrimi 06 drejtuar nga vozitësi shqiptar shtetas i Kosovës.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se gjatë kontrollit të dokumenteve dhe ngarkesës në kamion janë gjetur se i dyshuari po transportonte 39 krerë dele. I dyshuari nuk ka pas as një dokument valid për transportimin e kafshëve.
“Pasi që dyshohet se kafshët ishin të kontrabanduara, në vendin e ngjarjes janë konfiskuar nga ana e policisë, kamioni bashkë me ngarkesë. Janë thirrur njësitet e AVUKU-t, po ashtu me rastin janë thirrur që të merren njësitet e Vijës së Gjelbër nga Policia e Kosovës”, ka thënë Hashani.