Me nëntë shkurt të vitit 2017 Kuvendi i Kosovës e votoj rezolutën e iniciuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes të cilës Arsimi shpallet prioritet kombëtar.
Nga: Ismajl Kurteshi, deputet
Kjo rezolutë ka pas dhe ka për qëllim organizim më të mirë të punës në fushën e arsimit, që do të ndikon në ngritjen e cilësisë, kurse ngritja e cilësisë në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.
Për fat të keq gjendja në arsim tani nuk dallon nga gjendja që ishte para dy viteve.
Gjatë këtyre dy viteve përqindja e fëmijëve tëpërfshirë në arsimin parashkollor ka mbetur shumë e ulët si që ishte edhe në vitin 2017.
Tekstet shkollore, kushtet e punës, mjetet e punës, aktivitetet jashtë shkollore, bashkëpunimi me prind, numri i mungesave të paarsyeshme, përdorimi i substancave narkotike, janë përafërsisht ashtu si kanë qen me 09. Shkurt të vitit 2017.
Fakti se dy vite pas rezolutës gjendja në arsim është po aq e rënd sa ishte dy vite më parë, na mëson se rezolutat nuk ndryshojnë asgjë nëse ato nuk shoqërohen me vullnetin tonë të gjithmbarshëm dhe me përkushtimin e institucioneve që rezolutat të jetësohen.
Në vijim pason rezoluta e lartpërmendurë.
Republika e Kosovës Republika Kosova – RepublicofKosovo Kuvendi – Skupština – Assembly
Legjislatura V
Sesioni pranveror
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 44 i Rregullores së Kuvendit, në seancën plenare, të mbajtur më 19 janar dhe 9 shkurt 2017, pas interpelancës së zhvilluar me ministrin e arsimit, z. Arsim Bajrami, në lidhje me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë, me propozim të GP të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe me harmonizim nga GP të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe “Nisma”, nxjerr këtë:
R E Z O L U T Ë
1. Arsimi të shpallet interes nacional, ndërsa në funksion të kësaj të rritet buxheti për këtë sektor.
2. Të rritet llogaridhënia, monitorimi dhe vlerësimi i performansës së të gjithë mësimdhënësve në nivel vendi dhe të bëhet kategorizimi i tyre sipas rezultateve të vlerësimit dhe sidomos sipas rezultateve të testimit të jashtëm të nxënësve të tyre.
3. Qeveria e Kosovës ta krijojë një fond të veçantë për ngritjen e kapaciteteve profesionale të mësimdhënësve dhe një fond tjetër për arsimin parashkollor, me qëllim të sigurimit të burimeve njerëzore dhe infrastrukturës së nevojshme.
4. Të bëhet rishikimi i Kurrikulës, i planprogrameve dhe teksteve shkollore në përputhje me kushtet dhe rrethanat në Kosovë.
5. Të ndalohet përdorimi i teksteve shkollore me përmbajtje antikushtetuese.
6. MASHT-i ta iniciojë themelimin e një forumi gjithëpërfshirës nga deputetët, nga ekspertët e fushës së arsimit dhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile për analizën e situatës në arsim dhe të propozojë rekomandime.
7. Të rikonceptohen tekstet shkollore dhe të bëhet unifikimi i lëndëve shkencore.
8. MASHT-i të krijojë kushte të volitshme për organizimin e mësimit fakultativ.
9. Të zbatohet në plotëni Kontrata Kolektive.
10. Të rishikohet dhe të amendamentohet infrastruktura ligjore në fushën e arsimit.
11. Në rast të mospërmbushjes së kritereve për licencim, institucionet shkollore jashtë sistemit publik të mbyllen.
12. Ministri i Arsimit të raportojë para Kuvendit të Kosovës në çdo tre muaj për gjendjen në arsim.
Nr. 05-R-008
Prishtinë, më 9 shkurt 2017
Kryetari i Kuvendit
Kadri VESELI
CC: – Qeverisë së Republikës së Kosovës,