Nga: Hysen Këqiku:
Hyrje
Në pranverën e këtij viti, nga shtëpia botuese “Kurora” në Gjilan dolën ty përmbledhje me poezi: ”Në rrugët e jetës” dhe “Madhështia e dhimbjes” të autorit Rafet Rexhepi.
Në të dy këto vepra, në mënyrën më poetike dhe metaforike trajtohet një motiv i cili nga poezia në poezi, spikatet natyrshëm, figurshmëria e shprehjeve shpirtërore: dhimbje, psherëtimë, pikëllim e ndonjë tjetër.
Këto tri figura, autorit, i shërbejnë si tri shtylla të forta mbi të cilën rrinë këto dy vepra, ndonëse të parat e autorit po megjithatë, i bëjnë vend nderi në krijimtarinë më të re të poetikës shqiptare.
Edhe në këtë shkrim, po e pohoj me një bindje të bazuar në faktet krijuese dhe në sublimimin e motiveve dhe inspirimeve të vëna me forcën e shpirtit krijues, se shkolla të arsimon, ta zgjeron horizontin e dijes edhe të inteligjencës, por nëse nuk e ke prirjen e natyrshme për krijimtari artistike, nuk mund të krijosh vepra të tilla, qoftë në muzikë, në poezi, pikture apo skulptur.
Rafeti pos fillores nuk e ka pasë fatin e vazhdimit të shkollimit, por e gëzon fati se natyra i ka dhuruar prirjen e të krijuarit poetik të poezisë.
Vepra “Në rrugët e jetës” ka 104 faqe me poezi të ndara në tre cikle: “Prania e dhimbjes”, “ Një ofshamë për ty atdhe” dhe “Takimi i shprtit me dhimbjejn” kurse libri i dytë “Madhështia e dhimbjes” ka 97 faqe me poezi që ndahen në dy cikle “Përkushtim për dhimbjen” dhe “Pafundësia e dhimbjes”
Siç vërehet vetëm në titujt e veprave dhe të cikleve fjala dhimbje përsëritet disa herë. Kjo përsëritje është e pranishme edhe në 188 poezitë që i mbushin këto dy vepra .
Zanafilla e dhimbjes
Shkrimtari Zejnullah Halili në një rast e pati përëmendur shprehjen “Shpirti i vënë në letër” duke paraqitur një realitet të përjetuar, me të cilin provohen ditë e për ditë – saherë, të gjithë krijuesit me fenomenin e vënies në letër të shpirtit por të shpirtit krijues që ka prirjen dhe dhuntinë e të latuarit të vargut poetik.
Rafet Rexhepit iu desht të ecë një kohë të gjatë, derisa në moshën 45 vjeçare e zbuloi talendin e tij poetik, i cili gufoi si një ujë kristal nga mesi i një moçali duke shkëlqyer me flluskat e tij si një bukuri që të magjeps e të bën për ta shiquar me admirim dhe dëshirë të madhe.
Autorin e këtij “burimi kristal” gjatë gjithë jetës i shkoi pas dhimbja, psherëtima dhe pikëllimi, duke iu bërë pjesë e pandarë e jetës. Atë e gjeti në kushtet e vështira të saj, kur ishim nën robëri, në mungesë të bukës, veshjes, të ndarjeve të shumëta për të kapërcyer katrahurat dhe për të sfiduar me errësirën që si një mjegull e dendur na i mbulonte shtigjet e jetës. Që atëherë në ato kushte të pasigurisë në tokën e trashëguar nga të parët, të larë me lot e gjak, psherëtiu shpirti i tij i mirë që synonte të jetë i lire. Atje diku në pikat luftarake të luftës që bënte UÇK-ja dhe UÇPMB-ja, për liri, për t’ia kthyer dinjitetin e humbur popullit shqiptarë hasi në djem që nënat e tyre i kishin rritur me bekimin dhe lutjet për liri. Atje gjeti dhimbjen dhe dhembjen njëra e shkakturar nga shpirti e tjetra nga plagët e marra betejave. Të gjitha këto të manifestuara edhe me psherëtima dhe me pikëllim i cili buron nga dhimbja.
Këto tri shtylla mbi të cilat burojnë vargjet kristal, sajohet diçka shumë njerëzore e shpirtërore. “Dhimbja është dhunti e Zotit, pa dhimbje nuk je njeri. Vetëm ajo e bën njeriun të jetë njeri me kuptimin më të sinqert të shprehjes” -thotë autori –Rafet Rexhepi.
Kjo aforizmë e krijuar nga autori mund të na shërbej si një udhërrëfyes që të futemi në poezitë e tij po me atë shpirt të dhimbshëm, po me atë pshrëtimë dhe po me atë pikëllim, për të rënin në pikën luftarake, m’u pranë eshtrave të të parëve tonë që atëherë kur në këtë planet që e quajmë tokë, eci këmba e qenies që ka pamjen e njeriut por jo tek të gjithë e shpirtit.
Forca figurative
Dhimbja na paraqitet si një sajesë psikologjike e cila lëvizë nëpër korsinë imagjinative të Rafet Rexhepit për t’ia dhënë kuptimin e një prekjeje në sublimën që jetës ia jep kuptimin më njerëzor e më të virtytshëm.
Shpirtbutësia e tij është karakteri i tij, të cilin e hasim në flluskat e djersës gjatë shtegëtimit të tij artistik hullive të pafundme imagjinative. “Nëse nuk jemi të durueshëm/ A mund të jemi të dhimbshëm!/. Kjo pyetje sugjestive na servohet për të medituar për një abstrakcion psikologjik për të ardhur deri tek përgjigjja e të qenit njerëzor se “Njeriut i shfaqet dhimbja i vetëm të mos ndjehet”/ shenjat dhe gjurmët e zbulimit ekzistojnë gjithkund e gjithkah vetëm se ne duhet ta kërkojmë në ndjenjën e shpirtit sepse “Ata që e ndjejnë dhimbjen e tjetrit pikëllohen në takimin e parë”, sepse “zemrës i duhet dritë edhe diçka që nuk thuhet me fjalë”/ sepse “Gjithmonë është dikush që na gëzon edhe kur dhimbjet janë të fshehura” por vazhdon autori “ veç zemrat dine t’i kuptojnë”.
Autori nuk lejon që dhimbja të ndiej vetmi sepse e mëshiron më mëshirën e tij. Ajo herë-herë na paraqitet si qenie e gjallë e cila lëvizë, prek, miklon, dhimbshuron dhe vetëveten e shëron me lotin që i rrejdhe Kristal, i cili nuk ka nevojë ta pastrojë se dhimbja është e kulluar kush e posedon, por pas lotit, që shkaktohet nga dhimbja pason buzëqeshja e cila na e kujton vargun e Nolit “se pas dimrit vjen një verë”…. e tjerë.
Për autorin dhimbja është krejtësisht personale, me të cilën bashkëjeton, duke lutur tjetin që të futet edhe nëpërjetimin e dhimbjjes sepse vetëm ashtu mund ta përjetojë një lehtësim shpirtëror:
“Të lutem,
bëhu shoqëruesi im
do t’i tregoj dhimbjet e mia
se askush nuk mund të ikë nga vetja e tij” nga “Në rrugët e jetës”, faqe 68, njëkohësisht duke i bërë lutje tjetrit:
“Je mirënjohës i dhimbjes
ajo të ka treguar se sa i forte
mund të jesh” nga libri “Madhështia e dhimbjes”, faqe 36.
Edhe psherëtima na paraqitet si një sajesë për zbrazje emocionale, si një shkarkim shpirtërore pas të cilës marrim frymë më lirshëm e më me shpirt. Psherëtima, loti dhe dhimbja bashkëjetojnë. Rruga e shtegëtimit të tyre është e një kahshme sepse na paraqiten të pandashme si në poezinë “Po shkoj edhe unë”: /Dhimbja ime ka shkuar,/përtej dëshirës që dua/ se lotët kur rrjedhin/ dhimbje janë për mua” të gjitha këto, të shprehura në këtë mënyrë, njeriut i japin firtyt njerëzor. Ato e ngushëllojnë njera tjetrën duke e ndihmuar në rrugëtimin imagjinativ.
Në fakt psherëtima na paraqitet në forma të ndryshme metaforike. Forma se si na paraqiten tek lexuesi shkaktojnë një lehtësim edhe në frymëmarrje edhe në rritjen e interesimit për të hulumtuar dhe gjetur. Ato lexuesit i japin optimizëm dhe besim se “pas dimrit vjen një verë” ose se pas nate vjen dita, ose si në formën e poetit
“Dimri
Na bën të lutur
Pranvera
Më të thellë
Puna
Më të lartë
Faleminderimi
Për të lashtat
Na bën më me fat”…
Ky gradacion i sendertuar mjeshtërisht e me prirje poetike na nxjerr nga ndonjë moment i psherëtimës. Tri shtyllat e kësaj strofe: dimri, puna dhe falenderimi janë vetë forca emocionale e një dalje nga ndonjë humbje besimi në vetëvete që do të na shkaktonte psherëtimë.
Përfundim
Poeti është i gatshëm të sakarifikojë për diçka sublime sepse e ka shpirtin plot me dhimbje për të dhimbshmen. Ai e ankon kohën kur nuk ka krijuar, kur nuk e ka thirrë Muza për të shkruar, kur ende nuk iu pat paraqitur delli i tij i zjarrtë për të shkruar. I duket kohë e vonë sepse “I pata harruar germat/ Kur më thirrën poezitë./ Sot pas dy veprave të suksesshme poeti pohon bindshëm dhe me optimizëm “Ju thash/ Këtu i keni lotët/ dhe këtë laps/ diçka ngjajshëm me Ismajl Kadarenë: “Kurdoherë na gjeni zgjuar”.
Dy veprat e Rafet Rexhepit shëmbëllejnë njëra me tjetrën si dy motra binjake por që kanë edhe veçoritë e tyre të brendshme e figurative por dhimbja është delli që e përshkon si njërën edhe tjetrën tej e m’banë.
Poeti nuk dëshiron të del nga subjektiviteti sepse forca e tij e mba në kështjellën e artit ku do të vazhdojë të qajë dhembjet e veta.