Gjykata Kushtetuese është në fazën e përgatitjes së interpretimit në pyetjet e presidentes Atifete Jahjaga, për çështjen e mandatarit. Në këtë fazë pos opozitës që pretendon të marrë qeverisjen e vendit, duarkryq nuk po rri as subjekti fitues i zgjedhjeve të 8 qershorit, Partia Demokratike e Kosovës.
Gazeta Tribuna merr vesh se PDK dhe kryetari i saj Hashim Thaçi, janë duke menduar për skenarët e mundshëm pas prezantimit të interpretimit. Sipas këtyre burimeve ata janë duke e analizuar situatën që nuk do t’i linte jashtë Qeverisë, cilido që të jetë vendimi i kushtetueses.
Në këtë rast janë duke u diskutuar dy skenarë të mundshëm.
“Skenari i parë është se nëse kushtetuesja jep interpretim se PDK-së i takon dy herë të provojë krijimin e Qeverisë, atëherë PDK do ta shfrytëzojë këtë interpretim, duke ia bërë qartë edhe opozitës se këtu definohet edhe çështja e kryeparlamentarit. Kjo pasi në një situatë të tillë do të sqarohej edhe çështja sa i përket shumicës në Kuvend, që në këtë variant i bije partisë që ka fituar më së shumti vota”, ka thënë burimi.
Por, i njëjti burim ka shpjeguar edhe skenarin e dytë që PDK po mendon ta përdorë si instrument bllokimi.
“Skenari i dytë mund të jetë ai që gjykata t’i japë të drejtën partisë fituese që njëherë të provojë krijimin e qeverisë, dhe nëse dështon atëherë këtë ta bëjë i dyti në këtë rast opozita. Nëse vije deri të kjo situatë, PDK po mendon ta bllokojë konstituimin e Kuvendit përmes zgjedhjes së kryeparlamanterit. Këtë planifikon ta bëjë duke e dërguar për interpretim në gjykatë çështjen e zgjedhjes së kryeparlamentarit me anë të deputetëve të cilët pritet të betohen para se të votohet për kryetarin e Kuvendit”, ka sqaruar me tej burimi.(Tribuna)