Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar “Betejën e Zhegocit” në 22-vjetorin e saj. “Duke kujtuar sot Betejën e Zhegocit, nderojmë kontributin e Zonës Operative të Karadakut, rezistencën, sakrificën dhe rënien e bijve më të mirë të saj”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në facebook
Postimi i plotë:
Stina e përgjakur dhe e fundit në robëri!
15 prilli 1999, shënoi shumë ngjarje që i dhanë kahje vazhdimit të luftës për liri.
Përderisa armiku po përgatitej për një operacion të shkallës së gjerë, kundër zonave të Karadakut, Llapit dhe Nerodimes, trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bën shembull i guximit dhe gatishmërisë për sakrificë drejt realizimin e ëndrrës shekullore.
Pranvera e përgjakur, u shënua me rezistencën e pushkët e tyre. Ishte pranvera e fundit në robëri!
Duke kujtuar sot Betejën e Zhegocit, nderojmë kontributin e Zonës Operative të Karadakut, rezistencën, sakrificën dhe rënien e bijve më të mirë të saj.
Falangat e shtetit të fundit fashist në Evropë, mllefin e humbjes në frontet e luftës gjithandej, e shfryen me egërsinë më të të madhe kundër qytetarëve të paarmatosur.
Kujtojmë Martirët e rënë në Sllovi të Lipjanit dhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë. Më shumë se dy dekada e drejtësia ende nuk është vënë në vend. Ne nuk do t’i ndalim përpjekjet tona që ata të cilët kryen këto krime të marrin dënimin e merituar.
Sot, çdo përpjekje e jona në ndërtimin e vendit, frymëzohet nga heroizmi i luftëtarëve të lirisë dhe sakrifica e martirëve.
Lavdi e përjetshme!
RH