Shkruan: Arsim KASTRATI
Thonin që Trumpi s’bënë e Grenelli nuk është Amerika. OK, iku Trumpi dhe në vend të tij erdhi miku ynë i madh, Biden-i e ne, as me administratën e tij punët mirë s’po kemi! S’bënte Grenelli e tash s’po bënë as Escobari?!
Para këtyre s’bënin as presidenti e as i dërguari i tij kurse, tash i jemi kapur dhe po ankohemi për të dërguarin special të mikut tonë – president i të madhes Amerikë!!
Po të udhëhiqej politika sipas moralit e drejtësisë, në Rambuje do të vendosej që Kosova ti bashkohej Shqipërisë ose bisedimet e Vjenës do të përfundonin me anëtarësimin e shtetit të pavarur të Kosovës në OKB.
Por në politikën botërore dhe në shumë fushveprime tjera njerëzore, vlen më shumë e drejta forcës se sa forca e së drejtës, apo jo?
Sa për të drejtën tonë, po të mos ishte vullneti i Amerikës, nuk kishin ndodhë as Rambujeja, as 17 Shkurti e as formimi i ushtrisë së Kosovës, e ndoshta as unë nuk do të isha që ti shkruaja këto fjalë.
Politika nuk është shkenca e së bukurës e as filozofia e moralit, ajo është arti i së mundshmës, arti i asaj që mund të bëhet.
Insistimi për të marr më të mirën për komunitetin të cilit i përket e humbë kuptimin kur kërkohet në fushën dhe parametrat inekzistente. Është krejt OK të kërkohet më e mira, maksimalja apo optimalja por, vetëm në suaza të realitetit, jo ndryshe! Dhe nëse përpjekjet për zgjidhjet optimale të çojnë, më shumë se një herë, në kontradikta me miqtë e dëshmuar, me ata që të kanë çliruar, të kanë bërë me shtet e me ushtri dhe për shkak të mbrojtjes së të cilëve vazhdon të egzistosh atëherë, kujtohu, vëri gishtin kokës, mbahu për muri!
Kjo vlenë për të gjithë njerëzit dhe në fushën e të gjitha mundësive nuk përjashtohet as ndarja e rrugëve mes nesh e miqëve tanë, për shkak se në politikë të përhershme janë interesat e jo miqësitë, ndërsa unë mund të mos kem sa duhet informata, se për faj të kujt zbehen interesat apo ftohet (për të mos thënë prishet) një raport.
Një fjalë e urtë thotë: “ti mund të bësh çka të duash por, jo sa të duash!”.
Ti mund të formosh idetë më brilante dhe fjalët më të bukura ndonjëherë por, po s’pate vullnet e fuqi për ti zbatuar në praktikë, i banë era.
Dhe po, “shpija pa miq nuk mbahet”, thoshte president Rugova. /2LONLINE/