Artistja shqiptare Dua Lipa, ka marrë dy çmime në ‘Grammy Awards’. Dua u shpall fituese në mbrëmjen më të madhe muzikore e vitit Grammy Awards 2019 në kategorinë “Kënga më e mirë e zhanrit Dance”, për këngën e saj “Electricity”, në bashkëpunim me Mark Ronson dhe Diplo. Ajo po ashtu ka fituar edhe çmimin si artistja e re më e mirë. Dua kështu bëhet shqiptarja e parë që fiton një çmim ‘Grammy’.
“Jam artiste me dy çmime Grammy!!! Jam shumë e përulur dhe mirënjohëse në këtë moment. I dërgoj shumë dashuri fansave të mi, familjes sime, ekipit tim, të gjithë artistëve të mahnitshëm me të cilët kam punuar dhe bashkëpunuar. Një ëndërr e vërtetë është realizuar! Faleminderit!!”, ka shkruar Lipa në “Instagram” .
Përndryshe, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Conell ka uruar këngëtaren Dua Lipa për dy çmimet e marra në ‘Grammy Awards’.
O’Conell e ka quajtur Duan, krenarinë e dy shteteve, atë të Britanisë dhe të Kosovës.
“Urime Dua Lipa, krenaria e dy shteteve”, ka shkruar O’Conell.
Dua Lipën e ka uruar ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
“Zonja dhe zotërinj, njihuni me artisten më të mirë të re dhe ajo është nga Kosova, dhe çmimi Grammy për ‘Kënga më e mirë dance’ shkon tek Dua Lipa. #Nga Kosova, me dashuri”, ka shkruar Çitaku në rrjetet sociale.