(2LONLINE) – Drejtues të Drejtorisë Komunale për Rini, Kulturë e Sport (DRKS), thanë se janë të përkushtuar për të ofruar mbështetje të struktura për funksionimin e teatrit të Qytetit të Gjilanit. Shih për këtë, u.d i drejtorit të DRKS-së Bujar Haziri tha se, bazuar edhe në një rekomandim dhe vullnetin të kreut të komunës Lutfi Hazirit, do të kërkoj nga kuvendarët që në seancën e sotme, të marrin një vendim për ndarje të mjeteve për Teatrin e Qytetit të Gjilanit.
Duke folur për gjendjen aktuale të Teatrit, Haziri ka thënë për Portalin 2Lonline, se Teatri ka kontrata të papaguara me aktorët dhe stafin teknik të papaguara që nga viti 2013 për muajtë tetor, nëntor e dhjetor, ndërsa për vitin kalendarik 2014 ende nuk ka krijuar mundësi të krijimit të kontratave për stafin në mungesë të buxhetit.
Mësohet se borxhi total për 2013 është 11 mijë e 281 euro.
“Ne kemi një përkushtim të vazhdueshëm që të sigurojmë mbështetje të strukturuar të funksionimit të Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Tani po punohet që njëherë e përgjithmonë Teatri dhe institucionet e kulturës të lirohen nga ndikimi politik dhe ndikimet e ndryshme anësore dhe të punojë për të prodhuar vlera”, ka thënë Haziri dhe pret që kuvendarët të marrin një vendim pozitiv për këtë çështje, pra të ndahen mjete me vendim të Kuvendit /2lonline/