Në kuadër të javës së dytë, në Superligën e Futbollit të Kosovës, skuadra e futbollit Drita, pret në terren të saj skuadren e Llapit, e drejtuesit e bardhë e kaltërve presin që ky të jetë një ballafaqim i vështirë kur kemi parasysh edhe cilësitë e kundërshtarit, por se premtuan angazhim maksimal, por edhe fitore.
Një ditë para kësaj ndeshje që do të luhet në stadiumin e qytetit të Gjilanit, me fillim në ora 17:00, para gazetarëve u prononcuan, kryetrajneri Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Hamdi Namani.
Nuhiu theksoi se xhiroja e parë u ka dhënë mesazh se bëhet fjalë për një kampionat mjaft të vështirë.
“Xhiroja e parë na tregoi se bëhet fjalë për një kampionat mjaft të vështirë, duke filluar nga përballja jonë e parë u pa se sa me vështirësi u fitua ndeshja ndaj KF Feronikelit. Djemtë krijuan shumë dhe treguam karakter, ishim kërkues dhe kthyem rezultatin. Por, edhe ndeshjet e tjera në javën e parë ishin të forta dhe kjo tregon se do shohim një kampionat mjaft të fortë deri në fund”, theksoi Nuhiu.
Kurse, futbollisti, Hamdi Namani që dikur luante në fanellën e Llapit, madje duke bartur edhe shiritin e kapitenit, tha se kjo nuk i bënë përshtypje tani duke premtuar fitore të bardh e kaltërve në këtë takim, ndërkohë që tregoi se për ndeshjen ndaj Llapit kanë punuar gjatë tërë javës që të mos përsëriten gabimet nga takimi i javës së parë, dhe se pret fitore.
Ndërsa në interesimet e ndryshme të gazetarëve, kryetrajneri Nuhiu deklaroi se futbollistët e dëmtuar nga ndeshjet në Evropë këtë javë janë të gatshëm për lojë, përveç futbollistit Arbnor Muja.
“Ende nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë, por në ndërkohë do të rikuperohen dhe nesër do të vendosim para ndeshjes se me cilët futbollistë do të startojmë. Prurjet e reja nga dita në ditë po punojnë shumë, po njohin njëri-tjetrin, e di që nga ndeshja në ndeshje ekipi do rritet dhe do të marrim më të mirën nga secili futbollist. Por, nuk diskutohet gjersa kemi kontigjent të tillë në çdo ndeshje dhe varësisht nga ajo që dëshirojmë të luajmë do t’i zgjedhim edhe futbollistët”, deklaroi Nuhiu.
Po ashtu Nuhiu tha se Drita ka përgatitur lojën kundër KF Llapit, të cilën do ta implementojë në fushë.
“Nesër do të kemi një përballje të vështirë, një kundërshtar siç është KF Llapi, i cili nga viti i kaluar e dijmë që fitoi Kupën e Kosovës. Ka ruajtur grupin dhe ka sjellë edhe futbollist cilësor dhe kemi ndjekur dy-tri takimet e fundit, nuk diskutohet kemi analizuar edhe detajet më të vogla për të mbyllur pikat e tyre të forta dhe normal do të mundohemi t’i shfrytëzojmë hapësirat që do i lë kundërshtari. Kemi përgatitur një kundër lojë kundër KF Llapi dhe të shohim nesër ta implementojmë në fushë”, përfundoi Nuhiu.
Kurse, futbollisti Hamdi Namani, tregoi pikën e fortë të ish-skuadrës së tij. “Kam qenë pjesë e Llapit për gjashtë vite, ndërsa tani u bënë tri vite që jam me Dritën, jemi takuar disa herë me KF Llapi dhe tashmë nuk është sfiduese ose ndjenjë e veçantë. Nga koha kur kam qenë unë, KF Llapi ka bërë shumë ndryshime, por mendoj që sulmi është pika më e fortë e tyre, e kanë sulmin mjaft të shpejtë”, theksoi Namani, i bindur se sulmi kundershtar do të ndalet dhe skuadra e tij bardhë e kaltër do t’ia arrijë qëllimit. /2LONLINE.com/
VIDEO KONFERENCA NGA 2LONLINE.com