Drita ka shënuar fitore të thellë ndaj Kek-ut në Gjilan. Bardh e kaltërit shënuan plot 4 gola në kuadër të ndeshjes së javës së 25-të të Ipko Superligës së Kosovës në futboll.
Pjesa e parë ishte dukshëm më e qetë, porse rastet nuk munguan. Goli i parë i ndeshjes erdhi në fund të pjesës së parë, pas disa rasteve të pa konkretizuara nga vendasit.
Kyrian Nwabueze shënoi në minutën e 42’, ndërsa në pjesën e dytë realizoi edhe dy herë të tjera. Duket se amerikani ka gjetur tashmë formën e tij ideale dhe përshtatjen me klubin Drita, ndërsa golat i shënoi në minutat 71’ dhe 76’.
Golin e fundit të takimit, për fitoren e ëmbël të Dritës e shënoi mbrojtësi Përparim Osmani vetëm 1 minut pas golit të tretë, në minutën e 77’, shkruan 2lonline.com
Me këtë triumf, kampioni në fuqi Drita forcon pozitën e katërt tabelare me 44 pikë, 10 më shumë se Drenica në vendin e pestë.
Kjo fitore është e vlefshme edhe për të ngritur besimin dhe sigurin e skuadrës në ndeshjen e rëndësisme derbi me rivalin lokal Gjilani. Ndeshja e cila do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 20:00.