Në prag të ndeshjes së 13-të kampionale, FC drita – KF Ferizaj, klubi gjilanas paraprakisht ka mbajtur konferencë për medie, ku u paraqitën kryetrajneri Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Albin Krasniqi.
Kryetrajneri i Dritës, Nuhiu tha se nga ndeshja e nesërme duhet të kthehemi te fitorja.
“Djemtë po punojnë shumë dhe nga ndeshja e nesërme presim të kthehemi te fitorja dhe te realizimi i golave. Nuk diskutohet nuk do të jetë aspak e lehtë, kundërshtari pavarësisht rezultateve të fundit ka futbollistë cilësorë. Ne duhet të marrim mësim nga ndeshja e fundit me ta, ku na barazuan dhe na morën një pikë. Me rrespektin maksimal për kundërshtarin e nesërm, sepse ka futbollistë që dikur ishin pjesë e jona. Por, ne duhet që me qasje maksimale serioze të kthehemi te fitorja. Dhe që nesër të harrojmë ndeshjen e fundit dhe të vazhdojmë kampionatin”, ka thënë Nuhiu.
Kurse, futbollisti Albin Krasniqi ka thënë se Drita gjithmonë futet për fitore dhe atë do ta kërkojnë edhe nesër.
“Drita gjithmonë futet për fitore, për nesër jemi mobilizu dhe mendoj që do të japim maksimumin dhe të marrim tri pikë të ardhshme, të cilat janë shumë të rëndësishme për vazhdimësin e kampionatit. Nesër presim me fitu, nuk është me rëndësi për rezultatin dhe numrin e golave, por ajo që tregojmë në fushë e kurorëzuar me fitore në fund”, ka thënë Krasniqi.
Gjatë konferencës u diskutua edhe për ndeshjen e kaluar dhe nga pyetjet e gazetarëve u kërkua shpjegim për atë se çfarë nuk shkoi në ndeshjen e xhiros së 12-të.
Në këtë rast, timonieri i klubit Drita tha se ishte një ndeshje e luftuar, një derbi me jo shumë raste shënimi, por ndeshje e kujdesshme nga të dyja skuadrat.
“Një derbi jo gjithmonë sjell raste të pastërta, sepse skuadrat janë të përqendruara. Nuk diskutohet që pas kartonit të kuq u vështirësuan gjërat për ne. Ne ishim të detyruar të mbledhim skuadrën, por me shumë përgjegjësi dhe kompaktësi skuadra është përgjigjur dhe nuk kemi lejuar që kundërshtari të na rrezikojë, ndonëse shënuam të parët e në fund nuk morëm maksimumin. Ndeshje të tilla realisht në futboll ndodhin shumë rrallë dhe të marrësh dy gola për një minut duhet të jesh shumë i pa fat dhe këtë besoj e di edhe kundërshtari. Mendoj se gjatë rrugës do të ketë pengesa jo vetëm për ne, por pas këtyre humbjeve duhet të tregohesh skuadër e madhe, të gjesh forcë të ngritesh dhe të vazhdosh rrugën drejt qëllimit tënd apo drejt suksesit”, theksoi Nuhiu.
Ndërkaq, për potencialin e klubit dhe rezultatet e deritanishme foli edhe futbollisti, Albin Krasniqi.
“Këtë vit kemi fituar të gjitha derbit, atë me Gjilanin e Ballkanin, përveç ndeshjes së fundit me Prishtinën. Mendoj se nuk na mungon inati dhe kualiteti, duke fituar me rezultate te pastërta dhe bindëse. Po të na mungonte dëshira për fitore dhe inati do të ishim të relaksuar në cdo ndeshje, por ne kemi treguar që nuk është ashtu”, ka përfunduar Krasniqi.
Për ndeshjen e nesërme në fushë do të mungojnë Rron Broja dhe Ilir Blakçori për shkak të kartonëve, ndërsa Prince Balde ka një shqetësim për të cilin do të vendoset sot pas seancës së fundit stërvitore.
Ndeshja FC drita – KF Ferizaj zhvillohet të shtunën, ora 13:00 në Stadiumin Ndihmës (te rrethi). /2LONLINE/