(2L ONLINE) — Skuadra e Dritës është fituese e turneut memorial kushtuar tri figurave që dhanë kontribut të madh për sportin gjilanas dhe atë kosovar: Selami osmani – “Bezi”, Kemajl Halimi – “Raci” dhe Reshat Osmani “Reshi”.
Vendi i dytë i takoi skuadrës së Gjilanit, i treti asaj të Trepçës dhe skuadra më fair play u zgjodh ajo e Ferizajt.
Ndeshjet e para
Turneu nisi me ndeshjen ndërmjet skuadrës së Dritës dhe Trepçës e cila u luajt në sistemin italian nga 45 minuta dhe menjëherë ekzekutimin e penaltive. E për këtë të fundit dy skuadrat kishin nevojë pasi koha e rregullt përfundoi baras (1:1), me golat e realizuar nga Shqipërim Kelmendi nga penaltia për Dritën dhe Fiton Hajdari për Trepçën. Ky i fundit ishte figura tragjike e ‘xehetarëve’ deri sa e humbi penaltinë teksa gjilanasit qëlluan të gjitha duke fituar ‘biletën’ për në finale (5:4)
Qifti i dytë që do ta ndjekke rrugën për në finale ishte ai ndërmjet Gjilanit dhe Ferizajt. Skuadra e drejtuar nga Musa Selimi e ‘kurorëzoi’ lojën e bukur me një gol të Vllaznim Jasharit, teksa mposhti minimalisht të besuarit e Jeton Bislimit.
Drita – Trepça 1:1 (5:4 pas penaltive)
Gjilani – Ferizaj 1:0
Penaltitë përcaktojnë fituesit
Fillimisht dueli ndërmjet Trepçës dhe Ferizajt do ta përcaktonte fituesin e vendit të tretë para se të shihnim ‘el clasicon’ kosovar, ndërmjet Dritës dhe Gjilanit.
Mirëpo edhe dueli për vendin e tretë ishte mjaft interesant që përfundoi në penalti të stërzgjatura.
Koha e rregullt nuk solli asnjë gol deri sa ekzekutimi i penaltive ishte i kobshëm. U desh të qëllonin 9 herë që futbollistët e Trepçës ta fitonin ndeshjen ndaj Ferizajt që qëlluan 8 herë.
Radha ishte për duelin e shumëpritur. Si rrallë herë më parë dy skuadrat nga i njëjti qytet, njëherit edhe dy rivalët e përbetuar po përballeshin njëra me tjetrën.
Futbollistët e Dritës dhe Gjilanit ishin gati të dhuronin spektakël për ata pak shikues që ishin mbledhur në tribuna. Ashtu e ndodhi, dy skuadrat aplikuan lojë të hapura dhe me shumë raste shënimi.
Raste patën futbollistët e Gjilanit që tri herë ishin në pozitë ballore me ‘gardianin’ Huruglica dhe tri herë dështuan.
Edhe në penalti, Huruglica u tregua më i shkathët se futbollistët e Gjilanit duke mbrojtur dy sosh, deri sa një futbollist gjuajti jashtë portë.
Me rezultatin 3:1, Drita e fitoi ndeshjen dhe njëherit edhe edicionin e dytë të rradhës, “Bezi” – “Raci” – “Reshi”.
Për vend të tretë:
Trepça – Ferizaj 0:0 (9:8 pas penaltive)
Për vend të parë:
Drita – Gjilani 0:0 (3:1 pas penaltive)