Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e javës së 9-të, të Superligës së Kosovës në futboll, ku dy skuadrat gjilanase që bëjnë gara në elitë, Drita dhe Gjilani janë ballafaquar me Malishevën përkatësisht Dukagjinin.
Drita ka shënuar fitore në udhëtim duke e mundur Malishevën me rezultat 3 me 1, ndërsa Gjilani ka barazuar 1 me 1, me Dukagjinin.
Ndërsa në takimin tjetër, Feronikeli ’74 – Fushë Kosova, fitorja i ka takuar vendësve. Rezultati final 3- 0.
Kur jemi te skuadrat gjilanase, SC Drita ka vazhduar serinë e fitoreve, duke e regjistruar fitoren e katërt radhazi, kësaj here në Suharekë në përballje me Malishevën.
Goli i parë në këtë takim, ishte në fakt autogol, ku në minutën e 41-të, Dreni Kryeziu shënoi në postën e skuadrës së tij. Besnik Krasniqi me golin e tij, në minutat shtesë të pjesëlojës së parë, bëri që skuadra e Dritës në pushim të shkojë me epërsinë 2 me 0. Në pjesëlojën e dytë, vendësit ngushtuan rezultatin në minutën e 58-të me golin e Elom Nyavedji, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi Muharrem Jashari, që shënoi në minutën e 10-të të kohës shtesë.
Ndërsa ku jemi te skuadra tjetër gjilanase, SC Gjilani ka luajtur në shtëpi kundër Dukagjinit, por se ishte një pikë nga një barazim 1 me 1, ajo që ka mundur të ndalë për vete.
Mysafirët me golin e Bujar Shabanit kaluan në avantazh në minutën e 30-të, ndërsa Kushtrim Shabani i Gjilanit ishte ai që barazoi duke shënuar gol në minutën e 60-të.
Nesër zhvillohen dy ndeshjet tjera të javës së 9-të. Prishtina – Ballkani dhe Llapi – Liria.
Përndryshe, pas kësaj xhiroje, Drita ka 18 pikë dhe mbanë pozitë ne dytë, derisa Gjilani me 8 pikë nga 8 takime, mbanë pozitën e 8-të.
Edhe Drita (kundër Ballkanit) edhe Gjilani (kundër Fushë Kosovës) kanë nga një lojë më pak të zhvilluar. /2LONLINE/