Pas pauzës për ndeshjet e kombëtares, ekipet e Superligës kanë vazhduar me ballafaqimet e javës së pestë dhe sot takimin e ka zhvilluar edhe Drita e Gjilanit si mysafire e Llapit. Skuadra gjilanase ishte e pafat, pasi humbi në sekondat e fundit të takimit.
Ish lojtari i i deridjeshëm i Dritës, Blend Baftiu, tani i skuadrës llapjane, e ndëshkoi skuadrën gjilanase fare në fund, shënoi pothuajse në sekondën e fundit të takimit (90’+3’)
Gjuajta e tij, e devijuar paksa nga Mesa, përfundoi në portën e Malokut. Krejt çka u prit më pas ishte fishkëllima e fundit e gjyqtarit të ndeshjes dhe vendësit regjistruan fitore, e mysafirët humbje, ndonëse epilogu më real i kësaj ndeshje do të ishte ndarja e pikëve.
Megjithatë ky është futbolli, luhet deri në fishkëllimi ne fundit të arbitrit. Kështu Drita krahas një fitoreje, tani ka edhe një humbje në këto dy ndeshjet e luajtura deri më tani, pasi, siç dihet, tri ndeshjet e shtyra, janë për shkak të angazhimit të klubit gjilanas në arenën ndërkombëtare, dhe ato pritet t’i luaj më vonë, në oraret e përcaktuara nga FFK-ja. e para prej tyre pritet të jetë në mesjavë kundër Malishevës.
Përndryshe, sot u zhvillua edhe ndeshja Dukagjini – Malisheva ( 1:3 ), derisa të hënën luajnë Gjilani – Feronikeli. /2LONLINE/