FC Drita doli triumfuese ndaj kampionit në fuqi, Feronikelit në ndeshjen e javës së katërt në Superligë.
Mesfushori i ardhur këtë sezon tek Drita, Hamdi Namani, realizoi një gol me kokë në fundin e pjesës së parë për t’i dhënë fitoren e tretë radhazi Dritës.
Derisa pjesa e parë u karakterizua me një lojë më të barazpeshuar, pjesa e dytë kryesisht u dominua nga vendasit.
Megjithatë, përkundër rasteve asnjëra skuadër nuk arriti ta gjejë golin as të epërsisë, respektivisht atë të barazimit nga Feronikeli.
Shifrat mbetën të pandryshuara deri në fund të takimit, për rezultatin minimal, por në vlerë të tri pikëve.
Atmosfera sportive dominoi gjatë gjithë takimit, teksa “Intelektualët” e Dritës ishin të zëshëm dhe në numër të madh në ndeshjen derbi të kësaj xhiroje.
Me këtë fitore, Drita merr kreun e tabelës me 9 pikë, aq sa ka edhe SC Gjilani në vendin e dytë.
Pra, në krye të tabelës ndodhet edhe SC Gjilani që shënoi një fitore tejet të rëndësishme në udhëtim te FC Drenica. Gjilanasit triumfuan pastër me rezultat 0-2. Gerhard Progni në pjesën e parë dhe Fjori Jonuzi në pjesën e dytë realizuan dy golat e fitores.