Sot janë zhvilluar tri ndeshjet tjera të javës së 31-të të Superligës së Kosovës në Futboll, ku ndeshjet e tyre i kanë luajtur edhe skuadrat gjilanase, FC Drita e SC Gjilani.
Skuadra e Dritës nuk ka arritur ta ruaj rezultatin për çështje minute, duke u treguar edhe kësaj here e pafat.
Ishte në avantazh prej 1 me 0, deri në minutën e tetë shtesë, kur skuadra e Dukagjinit, arriti t’i barazojë shifrat. Epilogu final i takimit, 1:1.
Tani Drita ndodhet në pozitën e tretë të tabelës së klasifikimit, me 59 pikë, dy më pak se Llapi dhe katër më pak se Ballkani që kryeson tabelën. Megjithatë deri në fund të kampionatit, janë edhe pesë xhiro dhe Drita do të synojë ta ketë një finish të tillë që do t’ia sigurojë titullin, që e synojnë edhe Ballkani e edhe Llapi, tash për tash, me një përparësi gjasash, ndaj skuadrës gjilanase.
Në anën tjetër, skuadra kuqebardh e Gjilanit nuk arriti t’i rezistojë liderit, Ballkanit, dhe humbi në terren të vet, 0 me 2.
Kjo humbje ia vështirëson edhe më, klubit gjilanas “luftën” për t’i ikur zonës së barazhit. Tani ka 34 pikë dhe ndodhet në pozitën e tetë, “të padëshirueshme”, por aq pikë ka edhe Feronikeli 74′, në pozitën e shtatë.
Gjithsesi, edhe skuadrës gjilanase i mbetet që deri në fund të kampionatit, të ketë angazhim maksimal që t’i ikë kësaj zone dhe ta arrij objektivin që e ka për këtë vit, sepse kapacitetet e saja janë më të mëdha dhe në stinorin e ri, me kualitetin që e ka, pritet të bëjë luftë për pjesën e epërme të tabelës.
Pra, sot në kuadër të javës së 31-të të Superligës së Kosovës në futboll u arritën këto rezultate: Dukagjini – Drita 1-1, Gjilani – Ballkani 0-2 dhe Prishtina – Llapi 0 2.
Në xhiron e radhës, skuadrat gjilanase do t’i kenë këto ballafaqime. Drita – Fushë Kosova dhe Malisheva – Gjilani. /2LONLINE/