Janë zhvilluar sot tri ndeshje në kuadër të javës së pestë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.
Skuadra gjilanase, FC Drita nuk ia ka arritur të bëjë më tepër se sa të shkëpus vetëm një pikë, nga një barazim të arritur me skuadrën e Fushë Kosovës.
Drita, që luajti si mysafire e skuadrës së Fushë Kosovës, që përmbyll tabelën e klasifikimit si skuadër e fundit, nuk ia arriti t’i arkëtojë tri pikë të plota, por u desht të “kënaqet” vetëm me një pikë, pasi dueli i zhvilluar është mbyllur me rezultat 1:1.
Drita shënoi e para përmes Blend Baftiut, ndërsa Fushë Kosova barazoi me një gol të Dominik Ivkiq.
Ndërsa, skuadra tjetër gjilanase, SC Gjilani në këtë xhiro ka shënuar fitore minimale, por të vlefshme, pasi është fitorja e parë nga këto xhiro të deritanishme.
Gjilanasit që ishin nikoqir në këtë ballafaqim, arritën ta mposhtin ekipin e Malishevës, me rezultat 1:0. Golin e fitores për gjilanasit e shënoi Kushtrim Shabani.
Aktualisht, FC Drita është në pozitën e pestë me 6 pikë, ndërsa SC Gjilani në pozitën e shtatë me 4 pikë.
Ndërsa, takimi i tretë i kësaj jave që u luajt sot në mes të Feronikelit ’74 dhe Llapit, u takoi mysafirëve që fituan bindshëm me rezultatin 0:3.
Përndryshe, nesër, në kuadër të javës së pestë, zhvillohen dy ndeshjet tjera: Prishtina – Liria dhe Dukagjini – Ballkani. /2LONLINE/