(2L ONLINE)- Drita vazhdon serinë e rezultateve negative deri sa edhe njëherë dëshpëron simpatizuesit e saj. Bardh e kaltrit u mposhtën sërish në udhëtim, kësaj radhe te Trepça 89’ duke u kthyer në Gjilan me plotë tre gola deri sa nuk realizuan asnjë të tillë.
Trepça 89’ ia ka vazhduar terapinë e humbjes Dritës, duke e mposhtur në shtëpi me rezultat 3:0. Asgjë nuk shkon mbarë për gjilanasit që pësojnë tre herë brenda 45 minutave të pjesës së parë duke dëshmuar kështu krizën që po e kalojnë djelmoshat e Agron Selmanit.
Kapitullimi i Dritës në 45 minutat e para
Nuk ka se si të shkon më keç për Dritën deri sa pranon gol qysh në minutën e dytë të ndeshjes. Një ndërhyrje në Berat Hysenin nga portieri Huruglica është cilësuar si e qëllimshme nga gjyqtari kryesor (Gramoz Shala) që akordon penalti për Trepçën 89’. Nga 11-metërshi i pagabueshëm doli të jetë Emin Baliqi që shpejt e detyron Huruglicën ta nxjerrë topin nga rrjeta.
Goli i disavantazhit nuk shfaqi shenja reaksioni te futbollistët mysafir përkundrazi ata dukeshin të humbur në fushë deri sa pranojnë edhe dy gola të tjerë. Fillimisht Blerand Kurtishaj shfrytëzoi harkimin e Shpëtim Idrizit si dhe reagimin e dobët të ‘’gardianit’’ Huruglica për ta vulosur topin në rrjetë për rezultatin, 2-0. E njëjta dyshe u tregua fatale edhe njëherë mirëpo kësaj radhe me role të ndryshme, Kurtishaj asistues e Idrizi realizues. Kapiteni mitrovicas shpëtim Idrizi shkëputet mjaft mirë brenda zonës me kokë deri sa dërgon topin në rrjetë pas harkimit të Kurtishajt. Gjithçka përfundon me golin e tretë të vendasve që mbyllin këtë pjesë lojë me epërsi të trefishtë.
Pjesa e dytë, formalitet
Si duket epiteti i fituesit ishte mësuar në pjesën e parë, pasi fraksioni i dytë nuk solli asgjë tjetër pos disa gjysmë rasteve të shkuara huç. Të vetmin rast në këtë pjesë lojë për Dritën e pati i riu Alban Rexhepi, që nuk arrin të koordinohet mirë brenda zonës duke e çuar në pa kthim mundësinë e minutës së 81-të. Tjetër mundësi iu tregua talentit gjilanas në fundin e lojës, mirëpo gjuajtja e tij nuk solli edhe golin e nderit për skuadrën e Dritës që largohet nga ‘’Riza Lushta’’ me një tjetër disfatë deri sa janë futur në serinë e rezultateve negative pas dy humbjeve të thella në udhëtim. Ndeshja e radhës do të jetë sërish e vështirë për Dritën pasi bardh e kaltrit i bëjnë ‘’konak’’ liderit të Superligës, Hajvalisë.
Trepça 89-Drita 3:0 (3:0)
Stadiumi:”Riza Lushta”
Shikues:500
Gjyqtarë:G.Shala,L.Muhadri,B.Rama,B.Jahmurati
Shënues:Baliqi 2’ (p),Kurtishaj 39’,Idrizi 44’
KV:Huruglica,Murati (Drita)
Trepça 89: Manxholli,Berisha,Idrizi (Mustafa),Bekteshi,Musaj,Potoku,Broja (Feka),Peci,Hyseni,Baliqi (Ademi),Kurtishaj .
Drita: Huruglica (Krasniqi),Baxhuku,Tusumi,Haliti,Syla,Berisha (Murati),Ajdari,Shaqiri,Rashiti (Kelmendi),Rexhepi,Gashi.
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/