(2L ONLINE) – Në konferencën e sotme të rregullt për shtyp të organizuar nga Zyra për Informim Publik, respektivisht Zyra e kryetarit të komunës, është prezantuar aktiviteti i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, ku është bërë e ditur puna një vjeçare e kësaj drejtorie.
Fillimisht për angazhimin dhe aktivitetin një vjeçar, ka folur ish ushtruesi i detyrës së drejtorit Tajar Neziri, i cili ndër të tjerash ka përmendur disa nga objektivat më të rëndësishme gjatë vitit 2014-të, ndërkohë është fokusuar në angazhimin për pronat e ish ndërmarrjeve shoqërore që tani menaxhohen nga AKP-ja, dhe kthimin e tyre në pronësi të komunës.
“Siç dihet, komuna e Vitisë nuk është në gjendje të mirë sa i përket pronës publike, prandaj kthimi i këtyre pronave është më se i domosdoshëm me qëllim të ndërtimit të objekteve me rëndësi të domosdoshme dhe funksionale për realizimin e interesit të përgjithshëm publik, për çështjet e komunës dhe nevojave për ushtrimin e kompetencave në përgjithësi”, ka thënë Neziri.
Duke folur rreth realizimit të projekteve, ai ka njoftuar rreth punëve për finalizimin e projektit të komasacionit që kishte filluar që nga vitet e 80-ta dhe deri më tani ende nuk ishte përfunduar dhe falë angazhimit të institucioneve komunale në Viti, ky projekt ka filluar të implementohet, ku besohet që do të bëhet një zgjidhje shumë e mirë e këtij problemi që ka përcjell mbi 3-dekada. Në komunën e Vitisë, janë 7-të zona kadastrale me një sipërfaqe afër 3000 ha, të cilat preken në këtë projekt të komasacionit siç janë Binça, Begunca, Ramnishta, Podgorci, Gjylekari, Budrika dhe Remniku.
Neziri ka potencuar edhe të arriturat në të hyrat komunale në këtë drejtori ku për vitin 2014 të hyrat e përgjithshme janë 71,205.00€ kurse planifikimi ka qenë 68,650.00€.
Ndërsa drejtoresha e Gjeodezisë, Kadastër dhe Pronë Fatbardha Emini, në këtë konferencë u zotua se do të angazhohet që kjo drejtori të jetë 100 % në shërbim të qytetarëve.
“Objektiv i yni do të jetë që të gjitha lëndët të kryhen në një afat sa më të shkurtër dhe në bazë të afateve ligjore. Po ashtu edhe të vazhdojmë negociatat me AKP-në për ndërrim të pronave me interes të komunës”, tha drejtoresha Emini.
Ish ushtruesi i detyrës së drejtorit Tajar Neziri, falënderoj udhëheqjen komunale për bashkëpunim dhe mbështetje sa ai ishte në krye të kësaj drejtorie.
“Dua t’a falënderoj kryetarin e komunës z.Sokol Haliti, i cili ma besoi për një vit udhëheqjen e kësaj drejtorie si u.d. pasi padyshim, që ka qenë një përvojë e cila në mënyrë direkte na ka njoftuar me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj qytetarit, ndjenjën e përgjegjësisë ndaj nënshtrimit dhe respektimit të ligjit dhe obligimeve që i kemi ndaj komunës tone”, ka thënë Neziri. /2L ONLINE/