(2LONLINE) – Drejtuesit e Qendrës për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” mbajtën një konferencë për shtyp rreth ligjëratës që do të organizohet më 3 maj, e shtune mbrëma, me temë: “Sfidat e teatrit në kohën bashkëkohore”. Pjesëmarrësit e panelit në konferencë ishin: Ruth Widmer, drejtoreshë artistike e Teatrit “Falle Theatre” në Bazel të Zvicrës, Ridvan Murati – aktor kosovar me vendqëndrim në këtë qytet dhe Avni Shkodra – aktori gjilanas nga “Varg e Vi”.
Në fillim të prezantimit, Avni Shkodra, njëherazi iniciator i idesë nga “Varg e Vi”, tregoi për rëndësinë e këtij projekti të Qendrës për Art Bashkëkohor. “Ideja ka qenë që të marrim përvojat e teatrit të Bazelit dhe të shohim çfarë të na ndihmojnë rreth problemet teatrore në komunë dhe në Kosovë. Përmes këtij projekti, ne synojmë që të sjellim idetë e drejtoreshës artistike të “Falle Theatre” dhe të aktorit kosovar me vendbanim aktual në Zvicër, në mënyrë që të kuptojmë se cilat janë të përbashkëtat dhe dallimet tona teatrore, qoftë në mënyrën se si ne bëjmë shfaqjet teatrore në stil dhe në mënyrën e realizimit, qoftë edhe si mënyrë e menaxhimit financuar dhe kulturor të teatrave tonë” – theksoi Shkodra.
Më pas, fjalën e mori drejtoresha artistike, Widmer, nga “Falle Theatre” të Bazelit. “Teatri jonë nuk funksionon në bazë të buxhetit të shtetit, apo të komunës, por gjejmë mënyrat tona të financimit të aktiviteteve teatrore. Temat si racizmi, korrupsioni, e të tilla tema, provojmë t’i fusim në teatër dhe për të diskutuar rreth tyre. Në teatrin tonë, publiku është mbret. Publiku edhe mund të ndërhyjë në skenë dhe t’i jap zgjidhje krejt tjetër skenës, tamam si një regjisor, ka të drejtë të ndërhyjë. Ne luajmë në spital, në fabrikë, në rrugë dhe qëllimi jonë është që të përfitojnë të gjithë nga temat që i diskutojmë ne së bashku. Ne shpesh luajmë në teatër, duke u kombinuar me film dhe medium të tjera, si dhe të gjitha këto më pas, i inkorporojmë në një shfaqje” – tregon përvojat e saj teatrore, drejtoresha Widmer.
“Teatri duhet të jetë si futbolli, i kuptueshëm për të gjithë dhe nga të gjithë” – mendon Widmer, duke i dhënë gjithmonë përparësi shikuesit dhe audiencës. “Në fillim ky lloj teatri nuk është marrë seriozisht. Mirëpo, ne kemi përdorur fotografi interesante, skena të veçanta dhe atraktive, për ta nxitur audiencën që të interesohet sa më shumë për shfaqjet teatrore” – përfundon fjalën Widmer.
Ndërsa aktori Ridvan Murati, duke rrëfyer për përvojën e tij në teatrin e Bazelit, shprehet: “Kam punuar në teatrot shqiptare për shumë vite. Përvoja ime si aktor në “Falle Theatre” ka qenë shumë përvojë e mirë. Aktorët kosovarë do të ishte mirë të punonin më shumë rreth këtij lloj teatri interaktiv, ku shkojmë ne te publiku, e jo publiku te ne. Është vështirë të shkosh nga Kosova, në një vend aq të disiplinuar me kohën, me përpikmërinë dhe profesionalizmin në punë. Kur shkon atje, e sheh se krejt ndryshe është të kesh brengën vetëm për rolin tënd si aktor, por e pranoj se nuk ka qenë lehtë edhe të mësohesh me sistemin e punës!” – thotë Murati. Në pyetjen se si është pritur si shqiptar, ai shprehet: “Më kanë pritur shumë mirë, ndonëse nuk e përjashtoj se ka pasur edhe shumë paragjykime ndaj meje si shqiptar, por shumë shpejtë jam pranuar. Përdorimin e gjuhës zvicerane e dialektet, i kemi pasur shumë problem. Nuk e kam ditur humorin e zviceranëve. Njëherë gjatë provave, e mora tekstin dhe qeshnin. Unë mendoja se po qeshnin me lojën time të dobët dhe s’po iu pëlqen, ndërsa qeshnin me tekstin!”
Në fund u njoftua publiku artdashës për mbrëmjen e së shtunës, ku do të diskutohet me Ruth Widmer dhe Ridvan Muratin, në hapësirën e Qendrës për Art Bashkëkohor, mbi temën: “Sfidat bashkëkohore të teatrit”./2lonline/