Kryeshefi i Stacionit Policor në Bujanoc, Dragan Veliçkoviq, të hënën ka mohuar shlyerjen nga evidenca të banorëve shqiptarë që jetojnë në komunën e Bujanocit.
Këto komente i pari i policisë në Bujanoc i ka bërë në seancën e Këshillit Komunal për Siguri.
“Nga verifikimet në terren që i ka bërë policia kemi ardh në përfundim se disa qytetarë nuk janë banorë të vendbanimeve dhe ata nuk janë evidentuar, ndërsa askush nuk shlyhet nga evidenca”, ka pohuar Veliçkoviq në këtë seancë të drejtuar nga kryetari Jonuz Musliu, raporton Titulli.com.
Vlen theksuar se ditë më parë Këshilli Kombëtar Shqiptar publikoi shifrën prej 132 pasivizime të vendbanimeve të qytetarëve në komunat Bujanoc e Preshevë për vitin 2014, ndërsa në vitin 2013, 124 qytetarëve.
KKSH konsideron se veprimet e këtilla të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë të papranueshme sepse të njëjtat janë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut.
Sipas vlerësimeve të KKSH-së, pasivizimi i vendbanimeve ka për qëllim ndërrimin e strukturës etnike të popullsisë në Luginën e Preshevës.
Ky organ ka bërë apel tek të gjithë qytetarët shqiptar që i është pasivizuar vendbanimi të lajmërohen me dëshmi përkatëse pran KKSH-së, për të përpiluar data-bazën e të dhënave të nevojshme për të filluar procedurat juridike para institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare”.