(2L ONLINE) – Gani Neziri, anëtar i Kryesisë së PDK-së së Gjilanit, deri para pak ditësh, kishte qenë plotësisht i bindur që “ngërçi politik”, do të tejkalohet dhe do të gjendet zgjidhja, e do të krijohej qeveria, pa pas nevojë për zgjedhje të reja. Ai këtë qëndrim të tij e kishte mbështetur në atë se PDK-ja, partia që i takon, do të arrinte të krijonte partneritet me LDK-në, në të cilin subjekt do të mbizotëronte arsyeja e shëndosh, dhe të bashkëqeverisnin me vendin.
Por, ai tani thotë se nga ajo që po shihet si po rrjedhin gjërat, zgjedhjet e reja mund të jenë të domosdoshme. Neziri ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se kishte shpresuar në një koalicion mes PDK-së e LDK-së, i bindur në atë se brenda LDK-së ka mendje që mund t’i thërrasin arsyes dhe të kuptojnë se për të mirën e vendit duhet të lidhin partneritet me Koalicionin fitues të PDK-së.
Por se, sipas tij, po shihet se megjithatë pjesa tjetër e LDK-së, shumica fanatike, e papërgjegjshme, e paarsyeshme dhe lakmitare e skajshme për pushtet, si duket e ka mundur pjesën e arsyeshme.
Përndryshe, Neziri i cili e vlerëson veten e tij, si PDK-isti më i madh në Gjilan, duke par ecurinë e deritanishme, thotë se seancat e Kuvendit të Kosovës edhe mund të thirren njëra pas tjetrës, pa mbarim, por, edhe pa mbarim do të përfundojnë pa sukses.
“Koalicioni i PDK-së që është bashkim partnerësh parazgjedhor është fitimtari ligjor, por, i mungojnë votat e mjaftuara për të zgjedhur Kryetarin e si duket, nuk i siguron dot. Nga ana tjetër kemi Bllokun humbës VLAN, e që nuk është Koalicion, në kuptimin e drejtë të ligjit, është bllok paszgjedhor-bashkimi i aleatëve humbës, i cili ka siguruar numër të madh votash, por, nuk i duhen gjë, sepse, Kushtetuta nuk thotë në asnjë Nen që humbësit e bashkuar mund të formojnë qeverinë”, shprehet Neziri.
Ai shprehet i habitur se si juristët nga pjesa e Bllokut nuk u shpjegojnë ligjësinë kushtetuese, politikanëve të tyre, por i lënë kështu në amulli të papërgjegjësisë.
SI do që jetë, ai pret arsyeshmëri tek të tjerët që duhet parë se PDK-ja është fituese e zgjedhjeve dhe ajo duhet ta drejtojë vendin edhe për një mandat, megjithatë, po vazhduan me kryeneçësinë dhe me etjen e madhe që me çdo kusht ta kenë pushtetin, atëherë duhet matur edhe njëherë veten në zgjedhje të reja, që janë të domosdoshme. /2L ONLINE/