Doli nga shtypi libri “Vorbullitë” i autorit Shefik Shkodra. Një libër, i cili trajton ecurinë e jetës së njeriut ka parë dritën, libër i cili pasuron arealin letrar shqiptar, i shkruar me përkushtim, nga autori Shefik Shkodra, i cili tashmë ka bërë emër në letrat shqipe, shkruan kryelajmi.com.
Shefik Shkodra gjithnjë ka ditur të sjellë befasi për lexuesit, ai në veprat e tija punon gjatë, i shtjellon ato me gjuhë të pasur letrare, me figura e gjetje të duhura, andaj edhe në librin më të ri “Vorbullitë” autori Shefik Shkodra ka punuar mbi 2 vite e gjysmë, duke e ndërtuar atë në tetë cikle, të shtrirë në 134 faqe, me redaktor Mehmetali Rexhepin.
Në këtë libër, në mënyrë reflektive trajtohen ecuritë e jetës së një njeriu. Ai librin e nis me prologun për historinë, “Hiostori në parantezë”, e cila shprehet shumë shkurt nëpërmjet dy poemave “Dashuri e pakufizuar” dhe “Rrëfenjë për brutalitetin” dhe vazhdon me ciklin “Variacione nëpër kohë”, ciklin “Në strehën e vet”, “Të rëndomta e mistike”, “Prekje e djegie të furishme”, “Pyllit të vetmisë”, “Tundje kllapie” dhe përfundon me ciklin e epilogut “Nëpër gjarpërimin e shtigjeve”, ku autori Shefik Shkodra me shije të lartë artistike nëpërmjet krijimeve të tija paraqet një jetë të njeriut në ecje të pandërprera, duke e përjetuar të hidhurën dhe dashurinë për jetë.
Ky libër është në vazhdën e shumë të tillëve që autori Shefi Shkodra i ka botuar deri më tashti siç janë veprat letrare e publicistike: “Albania e Konicës – Pergamenë shqiptare”, “Shtjella”, “Erëverë”, “Qëndresa në mbrojtjen e Shqipërisë Verilindore dhe Lam Hasan Shahiqi (monografi)”, “Ëndrra shekullore dhe fantazmat”, “Zjarri poetik”, “Adhuruesit e kulturës evropiane”, “Aureolë e përhitur”, “Këndime për Dardaninë” dhe “Ushtima e Lumishtës”. Shefik Shkodra ka botuar edhe disa libra në bashkautorësi si “Bamirësia”, “Flakërimë” e “Agurrona”, kurse ai merret edhe me kritikë letrare e kulturore, duke botuar me qindra artikuj publicistikë nga ngjarjet e ndryshme politike në Kosovë, shkruan kryelajmi.com.