(2L ONLINE) – Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Doganave të Kosovës, ka organizuar të enjten një takimin me komunitetin e biznesit, me qëllim informimi me reformat në doganë, lehtësirat doganore si dhe çështje të tjera që janë me interes për bizneset.
Ismajl Januzi, drejtor për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se ne jemi të interesuar për të krijuar ambient sa më të favorshëm për zhvillim ekonomik, duke krijuar së pari kushte për biznesin vendor.
Ai i ka inkurajuar bizneset që të ngrehin para përfaqësuesve të Doganës çështjet që i preokupojnë ata gjatë ushtrimit të veprimtarisë e sidomos problemet me importimin, nëse kanë të tilla.
Januzi ka thënë se Komuna e Gjilanit është e vendosur për të ndihmuar ekonominë vendore, për aq sa lejojnë mundësitë e nivelit lokal të pushtetit dhe ka paralajmëruar takimin e ardhshëm me ATK-në, ku bizneset do të kenë mundësi të marrin informacione të nevojshme dhe ku mund t`i paraqesin vërejtjet që kanë në raport me politikat tatimore.
Agim Nika nga Dogana e Kosovës ka thënë se ata janë të gatshëm t`i takojnë e dëgjojnë të gjitha shqetësimet e bizneseve. Edhe reforma në doganë u bë me qëllim që shërbimet tona të jenë sa më afër biznesit, ka thënë Nika, duke sqaruar se tani mund të kryhen të gjitha shërbimet në Drejtorinë Rajonale, pa pasur nevojë të shkohet në Prishtinë.
“Dogana e konsideron biznesin partner”, ka thënë Nika, duke shtuar se tani bizneset kanë më shumë lehtësira, por edhe duke i porositur ato që t`i kërkojnë të drejtat e tyre.
Sa i përket informalitetit dhe marrëveshjes me Turqinë për tregti të lirë, të cilat i ka ngritur Ismajl Januzi, si interesime të komunitetit të biznesit, Nika ka thënë se për informalitetin flitet shumë, por mungojnë të dhënat e sakta. “Ne kemi punuar shumë për të zvogëluar informalitetin” ka thënë ai.
Nika nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe doganat të bëjnë ndonjëherë gabime, por ka thënë se dogana do të jetë e pa kompromis ndaj keqpërdoruesve eventualë brenda radhëve të saj.
Sa i përket marrëveshjes me Turqinë, Salih Hoda, përfaqësues tjetër i Doganës, ka thënë se kjo marrëveshje nuk është ratifikuar ende nga parlamentet e të dyja shteteve dhe nuk është e sigurt nëse do të hyjë në fuqi më 1 janar 2015, siç është paraparë.
Intenca jonë në këtë marrëveshje ka qenë mbrojtja e prodhimeve vendore. Eksportet tona në Turqi do të kenë doganë zero, ka thënë Hoda.
Nika, Hoda dhe si dhe përfaqësuesit tjerë të Doganës, Jashar Goga, Ekrem Grabanica, Zijavere Keçemzi e të tjerë, janë përgjigjur edhe në interesimet konkrete të bizneseve. /2L ONLINE/