Në kuadër të takimit të 20-të të Organizatës Botërore të Doganave janë duke u zhvilluar sesionet e Grupit kundër Falsifikimit dhe Piraterisë (CAP), ku përfaqësues nga administratat anëtare, Zyrat Ndërlidhëse të Inteligjencës Rajonale të OBD-së, organizatat vëzhguese, mbajtësit e të drejtave dhe subjektet e sektorit privat u mblodhën për të biseduar rreth iniciativave globale kundër falsifikimit dhe piraterisë.
Në këto takime të rëndësishme, Dogana e Kosovës përfaqësohet nga znj. Sadije Topojani dhe Atasheu Doganor z. Bekim Mehmetaj, të cilët ndanë me audiencën sukseset e shquara të Kosovës në luftën kundër tregtisë së paligjshme.
Ne shprehim mirënjohjen tonë të lartë për vlerësimet e Sekretariatit të OBD-së, duke falënderuar Doganën e Kosovës për rolin dhe kontributin e saj si bashkëpjesëmarrëse në operacionet ndërkombëtare kundër tregtisë së paligjshme, me theks të veçantë në të drejtat e pronësisë intelektuale dhe mallrat pirate. Në operacionet e organizuara nga OBD për periudhën raportuese, janë identifikuar më shumë se 4,000 raste shkeljesh të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe mallrave pirate.
Dogana e Kosovës mbetet e vendosur në përkushtimin e saj për të luftuar falsifikimin në kuadër të operacioneve globale të udhëhequra nga OBD, me qëllim parandalimin e tregtisë së paligjshme të mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale (IPR).
Në mënyrë të veçantë, vlen të theksohet se Dogana e Kosovës ka arritur me sukses të ndërmarrë veprime dhe parandalojë mbi 1,100 raste të mallrave që dyshohen se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale, me vlerën totale të mallrave të ndaluara që kalon mbi 23 milionë euro nga viti 2022 e deri më tani.
Në fjalimin e tij, Sekretari i Përgjithshëm OBD-së Dr. Mikuriya, ka shprehur vlerësimin për kontributet pozitive të Grupit CAP të OBD-së që nga krijimi i tij në vitin 2009, duke theksuar rolin kryesor të tij në përparimin e Sekretariatit kundër falsifikimit dhe piraterisë. Ai ka shtuar theksin në arritjet e këtij grupi, duke përfshirë dy rishikime të mandatit dhe zhvillimin e mjeteve për të ndihmuar anëtarët në parandalimin e tregtisë së paligjshme të mallrave që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.
Sekretari i Përgjithshëm ka nënvizuar nevojën për Doganat të fokusohen në tregtinë elektronike, duke e njohur atë si metodën kryesore të përdorur nga kriminelët për të transportuar mallra të falsifikuara. Ai ka përmbyllur fjalimin e tij duke thirrur për bashkëpunim të shtuar mes mbajtësve të të drejtave dhe Doganave, me qëllim kufizimin e ndjeshëm të tregtisë së produkteve të falsifikuara. /2LONLINE/