Në përgjithësi kur flitet për çështjen e arsimit në Kosovë dhe kur vlerësimet e një pjese shumë të madhe janë që gjendja e arsimit në vendin tonë është në fund të fundit, me një dhimbje dhe dëshpërim të madh, do të doja që kjo të ishte kështu.
Shkruan: Fatmir KASTRATI – 2LONLINE.com
Arsyeja se pse do të doja të ishte kjo gjendje e tillë është shpresa që ndoshta nuk ka ku të shkoj më keq dhe ndjenja e të qenurit në fund do të na shtynte që bashkërisht të fillojmë të largohemi nga ajo gjendje dhe të fillonte përmirësimi në gjendjen arsimore në vendin tonë. Në të kundërtën, duke parë çasjen ndaj arsimit në përgjithësi, kam pak ndjenja pesimizmi dhe nëse vazhdon kështu kjo çasje arsimimi do të shkoj vetëm duke u rënduar, ku kjo gjendje do të ishte fatale edhe për të ardhmen e shtetit dhe do të ndikonte në shumë dikastere të tjera, duke ditur që arsimi është shtylla e një shteti.
Fatmirësisht apo fatkeqësisht populli ynë ka pasur fatin që kohëve të fundit, por edhe më parë të shoh shumë qeveri duke u ndryshuar dhe gjatë gjithë kohës kur është folur për bashkëpunim, qasje të drejtë dhe të duhur ndaj institucioneve, ne me pak analizë te ndarja e ministrive mund ta kuptojmë se sa rëndësi i kushtojnë arsimit në vendin tonë. Ata (politika qendrore), primare kanë dhe bëjnë luftë të pakompromist që të i marrin ministritë e tjera dhe kurrë nuk synojnë me doemos ministrinë e arsimit kurse në politikat lokale synimi i tyre është drejtoria e arsimit pasi që ka më shumë mundësi që të punësojnë militantët apo të afërmit e tyre.
Lidhur me emërimin e fundit që ka ndodhur në postin e zv ministrit të arsimit, padyshim që më brengos fakti që në këtë ministri nuk ka çasje objektive, e më shumë se nota mesatare që u bë bujë e madhe në opinion mua më brengos fakti që në këtë ministri ka emërime nga fushat e tjera dhe nuk i përkasin apo kanë përvoja të ndryshme që lidhen me fushën e arsimit. Të paktën ndër pozitat kryesore që udhëheqin këtë ministri të jenë persona adekuat dhe që kanë lidhje me fushat e arsimit. Pra më shumë se nota mesatare duhet të jetë brengosëse që emërimet që bëhen në këtë dikaster vijnë nga fushat e ndryshme e që nuk kanë aq njohuri dhe përvoja lidhur me institucionin arsimor.
Andaj nëse njëmend dëshirojmë që e ardhmja e vendit tonë të jetë e ndritshme, duhet që ti çasemi në mënyrën e duhur arsimit, në të kundërtën një ardhmëri e mirë për vendin tonë është në dyshim. Kjo çasje nënkupton angazhim maksimal për të mirën e arsimit duke përzgjedhur personat adekuat, dëshirë dhe vullnet i madh për të përmirësuar gjendjen, qasje objektive ndaj arsimit si dhe si me kryesoren, largimin e militanizmit dhe nepotizmit nga arsimi.
Me dëshpërim dhe dhimbje të madhe do të “doja që arsimi të ishte në fund të fundit”, pasi që mund të shpresoja që kjo gjendje do të fillonte të përmirësohej dhe arsimi të arrinte majet më të larta, ku shteti ynë i Kosovës do të përfitonte shumë në aspekte të ndryshme dhe do të kishte një garancion për një të ardhme më të mirë.