(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi.
Në këtë takim miqësor është folur rreth bashkëpunimit e mirë që do ta kenë mes Komunës dhe Ministrisë në realizimin e projekteve në të mirë të gjilanasve.
Kryetari Haziri është shprehur se prioritet është që të përfundohet projekti i lumit Mirusha, i prolonguar me vite nga ish-pushteti i kaluar.
“Në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për të ndërtuar koordinim dhe bashkëpunim për finalizimin e projekteve kapitale për Gjilanin siç është tretmani i ujërave të zeza, rregullimi i shtratit të lumit Mirusha, mandej shtrati i lumit Stanishorka, Morava, apo të gjitha në përgjithësi janë në kuadër të një plani të madh që komuna dhe qeveria e kanë si një program të përbashkët, çështja e deponim së mbeturinave dhe politikat e reja për menaxhim më të mirë dhe më të drejtë etj”, ka thënë kryetari Haziri.
“Po ashtu ne kemi biseduar edhe për projektligjin e ndërtimit i cili pritet të hyjë në fuqi këtyre ditëve. Legalizimin, në mënyrë që Komuna të siguroj të hyra më të mëdha, që do të ndikonin në zhvillimin pastaj të qytetit në të mirën e qytetarëve. Jemi dakorduar që të punojmë bashkë. Gjilani është i gatshëm të hyj në çdo lloj programi në kuadër të angazhimeve që qeveria i ka marrë. Ne duhet t’i marrim obligimet tona, siç janë shpronësimet dhe problemeve të tjera, të cilat tashmë është dashtë të realizoheshin, por jemi dakorduar që të bëjmë plan të ri, dinamik të re dhe angazhim të ri, në mënyrë që kohën e humbur ta kompensojmë me veprime konkrete dhe më të shpejta”, ka potencuar Haziri.
Gashi: Do të ndërtohet impianti në vlerë prej 25 milionë eurosh
Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Dardan Gashi, është shprehur i lumtur që po e takon ish-shefin e tij në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Lutfi Hazirin, i cili tashmë është konfirmuar në mënyrë plebishitare si kryetar i Gjilanit.
Gashi ka thënë se janë dakorduar që të vendosin dinamika të reja në aspektin e trajtimit të ujërave të zeza dhe për ligjin e ndërtimit, përderisa ka dhënë premtimin që do të investohet me një impiant për pastrimin e ujërave të zeza, i cili, do të kushtojë 25 milionë euro.
“Ne kemi biseduar për dy aspekte, trajtimin e ujërave të zeza dhe ligjin e ndërtimit, të ndërtimeve pa leje. Në të dyja këto aspekte ne jemi dakorduar që të vendosim dinamika të reja, pra që të përfundoj projekti i lumit Mirusha, i cili, pa nevojë ka ngecur për disa vite, edhe pse financimi ka qenë i gatshëm nga qeveria. Do të shkohet deri në ndërtimin e impiantit për pastrimin e ujërave të zeza, i cili do të kushtoj rreth 25 milion euro, para të cilat do të investohen nga qeveria, Komuna dhe nga Banka Europiane për Zhvillim. Në aspektin e ndërtimit dhe të ligjit për trajtimit të objekteve të ndërtuara pa leje, ne jemi dakorduar që Gjilani të merr rolin edhe të një pilot projekti, që Komuna të jetë shembull i bashkëpunimit të ngushtë me ministrinë, pra që ta ndihmojmë Komunën ta implementoj këtë ligj në tërësi sepse është shumë i rëndësishëm edhe për qytetarët”, ka thënë, ndër të tjera, Ministri Gashi.
Gashi: “Ish-pushteti është fajtor pse nuk është përfunduar projekti i Mirushës”
Ministri Gashi theksoi se faji pse nuk është përfunduar projekti i lumit Mirusha është te ish-pushteti komunal, i cili nuk ka kryer shpronësimet.
“Projekti i Lumit Mirusha ka qenë i planifikuar të përfundoj brenda tri vitesh dhe buxheti ka qenë aty, do të thotë ministria i ka ndarë afër 3.5 milionë euro dhe më pas edhe gjysmë milioni euro janë ndarë për shpronësime. Ne kemi shpresuar që ky projekt do të kryhet, por ky nuk është kryer. Për atë pse nuk është kryer, duhet të pyeten edhe bashkëpunëtorët e mëhershëm në Komunë. Faji kryesor ka qenë te mosekzekutimi i shpronësimeve. Dhe natyrisht pa u kryer shpronësimi nuk ka mundur të kryhet puna. Tashmë jemi dakorduar të vazhdojmë me dinamikë të re, sepse fatkeqësisht ne dy herë ka ndodhur që buxheti për këtë projekt të shkoj në suficit dhe faji ka qenë në menaxhimin e Komunës së Gjilanit”, ka thënë ai.