Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë thirrje që të hetohen dyshimet për falsifikim me vota të kandidatëve në Qendrën e Numërimit të Votave.
“Gjatë ditës së djeshme në media ka rrjedhur një audio dhe video incizim i mbuluar, ku tre persona dyshohet se diskutojnë në lidhje me falsifikimin e votave të kandidatëve subjekteve politike në Qendrën e Numërimit të Votave”.
“Audio dhe video incizimi tregon se si numëruesi i votave jep çmimin për ndryshimin e votave brenda kandidatëve të listës së një subjekti politik. I dyshuari po ashtu tregon se sa para kishte marr ai dhe dy persona të tjerë brenda QNR-së për të ndryshuar votat e një kandidateje për deputete të Kuvendit të Kosovës, që ajo të bëhej pjesë e legjislaturës së VIII”, thuhet në një komunikatë të DnV-së.
Demokracia në Veprim, i bënë thirrje Prokurorit të Shtetit që me urgjencë të fillojnë hetimet dhe të marrin masat adekuate që të mos lejohet deformimi i vullnetit të votuesve nga dyshimet për falsifikimit e votave brenda QNR-së.
“Prokuroria duhet që në bashkëpunim me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të veprojë në drejtim të gjetjes dhe arrestimit të personave që dyshohen se kanë falsifikuar rezultatin e votimeve” thuhet tutje në komunikatë.
DnV ju bënë thirrje të gjithë kandidatëve për deputet të cilët mund të kenë dyshime për vjedhje të votave apo falsifikim të rezultatit, pos ankesave në PZAP, të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit në drejtim të zbulimit të veprave që devijojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovë. /2LONLINE.com/