(2LONLINE) – Në ambientet e Drejtorisë komunale të Arsimti (DKA), në Gjilan, Drejtori i DKA-së, Nazmi Musa organizoi pritje dhe një koktej rasti, për 12 nxënësit fitues të Olimpiadës Matematike të Gjilanit 2014 (për klasat IX, X, XI dhe XII), mësimdhënësit e nxënësve fitues dhe drejtorët e shkollave të nxënësve fitues.
Me këtë rast mësimdhënësit e nxënësve fitues u nderuan me nga një mirënjohje dhe një libër për përkushtimin në punën e tyre dhe përgatitjen me sukses të nxënësve për gara. Gjithashtu edhe shkollat e nxënësve fitues u nderuan me nga një mirënjohje, që u pranuan nga drejtorët e tyre. Këta nxënës do të përfaqësojnë komunën e Gjilanit, në Olimpiadën Matematike të Kosovës që do të mbahet më 02.03 2014 në Lipjan.
Drejtori i DKA, Nazmi Musa, tha se e ndien veten të nderuar që është midis talentëve të rinj të Gjilanit, i përgëzoi nxënësit fitues duke premtuar se DKA në Gjilan do të ndihmoj edhe më tej garat e dijes dhe se do të angazhohet që më të mirët të përkrahen në të ardhmen edhe me bursa të ndryshme. Ai ju uroi nxënësve sukses me dëshirë që të mbërrijnë deri në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare ( IMO 2014) që sivjet do të mbahet më 03-13. 07 2014 në Afrikë të Jugut. Më pas për pritjen e organizuar u falënderuan drejtorët e shkollave fituese, duke u ndier krenarë për suksesin e nxënësve të tyre.
Koordinatori i OMGJ 2014, profesori i matematikës Festim Shkodra, së pari falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e pastaj në emër të Këshillit Organizativ të Olimpiadës, për përkrahjen e madhe të ofruar në organizimin e kësaj gare i nderoi me mirënjohje dhe nga një libër drejtorin e DKA-së Nazmi Musa dhe zyrtarin e DKA-së Halim Vranovci. Ai përmendi se Komuna e Gjilanit dallohet për të mire në Kosove për mbështetjen që po i bën olimpiadës dhe shtoi se shoqëria jonë, duke ndihmuar këta talentë, ndihmon edhe zhvillimin e vetë komunës sonë e më gjerë, sepse këta nxënës në të ardhmen do të jenë forcë shtytëse e përparimit tone në të gjitha fushat.
Në emër të nxënësve fitues u falënderua nxënësja e klasës X-të Monika Bunjaku, e cila posaqërisht i falënderoi mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave përkatëse, për punën e madhe që po bëhet në shkollat e tyre, drejtorin e DKA, organizatorin e olimpiadës për organizimin tejet cilësor e madhështor të olimpiadës.
Në emër të mësimdhënësve të shpërblyer foli mësimdhënësja Ajtene Shahiqi, e cila rikujtoi se matematikanët e rinj në trevat shqiptare, me olimpiadat e tyre matematike bashkuan kombin qysh para lufte. Ajo shtoi se suksesi i nxënësve, mirënjohja për punën e mësimdhënësve i shtyn ata që të punojnë me një përkushtim edhe më të madh në të ardhmen. Shahiqi posaçërisht lavdëroi organizmin e përsosur të OMGJ 2014, që është meritë e masdhe e koordinatorit të saj. 2lonline/