Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) ka ftuar mësimdhënësit që të ndërpresin grevën e cila ka nisur ditë më parë dhe nga e marta nxënësit e të gjitha shkollave t’i kthehen procesit të rregullt mësimor.
Kjo u bë de ditur pas një takimi që pati drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, me drejtorët e të gjitha shkollave fillore, të mesme dhe institucioneve parashkollore.
“DKA së bashku me drejtorët e shkollave në vazhdimësi ka përkrahur dhe e përkrah kërkesat e arsyeshme të mësimdhënësve të dala nga SBASHK-u, por për hir të nxënësve, prindërve dhe fëmijëve, fton mësimdhënësit e të gjitha IEA-ve që të mbizotërojë arsyeja dhe mësimi të fillojë që nga nesër duke besuar fuqishëm se këto kërkesa do të realizohen së shpejti në koordinim mes Qeverisë, MASHT-it dhe SBASHK-ut”, ka thënë Gagica.