Betim Haxhimusa vazhdon të jetë kryefjala e derbit lokal, saherë që Drita dhe Gjilani takohen. Për dallim nga herët e kaluara, kur sulmuesi ferizajas vendoste fitoren e derbit në të mirë të Gjilanit, këtë herë ai e bëri me fanellë të kaltër.
Haxhimusa ishte pjesë e Gjilanit për disa edicione, për t’u transferuar më pas te rivali lokal, Drita.
E golat në ndeshje vendimtare si kjo e derbit, duket se Haxhimusa i ka specialitet. Kjo pasi, 26 vjeçari realizoi dy herë në portën e ish-skuadrës së tij, për t’i dhënë kështu triumfin e dytë kampional Dritës përballë Gjilanit.
Pas ndeshjes, ai foli për këtë ‘aftësi’ të tij, gjë që e gëzon shumë.
“Është një emocion i veçantë të fitosh në derbi. Kam qenë pjesë e Gjilanit, të shënosh në dy anët është e jashtëzakonshme. Golat ia dedikoj familjes dhe djalit të mixhës, Premtimit të cilit i thash se do të shënoj”, tha Haxhimusa.
Në ndërkohë, tifozët e Dritës “Intelektualët” pas golave të Haxhimusës këndonin një këngë të vecantë kushtuar atij, kështu duke i ‘thumbuar’ rivalët lokal, shkruan 2LONLINE.com.
Haxhimusa është golashënuesi më i mirë në histori të derbit, me gjashtë gola të shënuar.