Tri skica
Kishin shkuar dy veta në një ndejë në odë. I pari kishte qenë shumë i ditur. Ai gjithë kohën i kënaqi njerëzit në odë me dituri dhe gjithë e admiruan të diturin. Tjetri kishte qenë i marrë, që heshti gjithë kohën dhe kush nuk e hetoi marrëzinë e tij.
Nga: Femi HALIMI
Kur kryhet ndeja, i dituri dhe i marri çohen të shkonin, po atij të marrit kur çohet i bijnë njëmijë euro nga xhepat. Këta dalin nga oda, njerëzit i përcjellin e ndahen prej tyre. I dituri e i marri shkojnë kurse njerëzit kthehen në odë, e vazhdojnë ndejën.
I zoti i odës atëherë u thotë:
-Bre vëllazër, ka ndodhë diçka këtu, me këta dy musafirët që ishin! Këtij musafirit që gjithë kohën gojën s’e qeli, i kanë rënë njëmijë euro nga xhepat! –Si t’ia bëjmë kësaj pune?!
Pas shumë fjalëve, qeshjeve, një që ishte edhe ai i ditur, u tha:
-Burra bre! Një mësim i madh na dual prej kësaj pune! I dituri na kënaqi me dituri, por ky që heshtëte, -ky që gojën s’e qeli,-ky dual më i mirë! Prej të diturit na mbet dituri, po prej këtij që gojën s’e qeli, mbetën njëmijë euro! Njëmijë euro po bëjnë shumë në jetë, a gjidhë kjo dituri që na la i dituri, nuk na shërben neve asgjë!
Folë mandej një tjetër, një i një katundi tjetër!
–Unë e njoh këtë që nuk foli gjithë kohën, -thotë ai. –Ky është i marrë! Po, ka të marrë që dijnë të ndalen dhe ka të tjerë që nuk ndalen. Ky i marri paska qenë nga këta që marrin vesh, sigurisht. Janë marrë vesh që të flet veç ai që kishte mendë dhe për këtë ky i marri gojën nuk e qeli! Mirëpo, ky i marri, nuk po del edhe i marrë krejt, si dihet e si thuhet për të! Nuk besoj se këto njëmijë euro i kanë rënë ashtu hajt! Unë po besoj se ai me qëllim i ka lënë eurot!…
Kështu e këndej shkuan fjalët mandej në odë dhe llafet u përtërinë e bënë ndejën tërheqëse në vazhdim për të gjithë, por mbet të shihej se ai i marri a i kishte lënë eurot vetë me qëllim, apo i kishin rënë nga xhepat!?
Pas do dite, ai i marri e takon të zotin e odës në qytet. Ndalen në një kafiteri në kafe. I zoti i shtëpisë i tregon këtij që e ndalë në kafe për ato eurot që i kishin rënë nga xhepat në odë atë ditë të ndejës me atë të diturin!
2—
-Si e ndatë këtë punë në odë? –e pyetë “i marri” të zotin e odës.
-Ne i gjetëm eurot, -nisë e i tregon i zoti i odës, -e u dit se ty të kishin rënë edhe u muarëm vesh që eurot t’ kthejmë ty dhe eurot i kam këtu në xhep me vete, -përfundoi i zoti i odës dhe nxuar eurot e ia la mikut para në tavolinë nëmes filxhanave.
-Jo mik! –i tha i zoti i eurove. –Nuk më ranë eurot por i lëshova vetë kur u çuam!…Ai miku im, që është shumë i ditur, u dha juve kënaqësinë e diturisë, u kënaqi të gjithëve me dituri, mirëpo nuk u ndihmoi, për atë që ju kishit nevojë. Ju na thirrët për një ndihmë, me sa mbaj mend!? Ti pate kërkuar euro për ta përcjellë një djalë në Perëndim, se kishe pasë një kohë të gjatë që kishe kërkuar e nuk t’i kishte gjetë kush!…Të gjithë që ishin me ty në odë kanë mundë t’i gjejnë ato euro por nuk kanë dashtë! I dituri që ishte me mua ndërkaq, e shfrytëzoi rastin nëmes njerëzve për të treguar çka din nga dituria! Mirë krejt, në rregull, ama ti nuk kishe nevojë për dituri, por për euro, apo?! Prandaj unë heshta gjithë kohën dhe kur u çuam t’i lëshova ato euro, për të provuar njerëzit që ti rrin me ta, se a e tregojnë rastin, apo ti rrin me ta, me mendim të mirë e je i kënaqur me ta, por në të vërtetë, ata nuk vlejnë për asgjë!?
-Mirë që t’i kanë treguar eurot që janë gjetë në shtrojë të odës, -vazhdoi i “marri”, -ama keq pse nuk kanë ndihmuar, e që kanë mundësi. Unë kam pasë për të pyetë ty edhe kështu se a i gjete ato njëmijë euro në odë!? Edhe po të mos i kishe gjetë, unë do t’i kisha gjetë edhe njëmijë tjera për djalin tënd në hall. Por mirë që i paske gjetë dhe merri ato euro e përcille djalin për perëndim, por odën rralloje pak, se gjithë ata njerëz që të vijnë aty e që rrijnë me ty ditë e natë, nuk janë ashtu si duhet të jenë! Të mirën po të duam ta bëjmë, e bëjmë -dhe shumë lehtë e pa fjalë! Unë nuk po them për vete këtë por ata të gjithë të tjerët, që e dijnë, munden të bëjnë mirë, e thonë me gojë, por nuk e bëjnë kurrë!…
Njeriu i zoti i odës asaj, për të cilin flet ky tregim, muar eurot, përcolli djalin në Zvicërr, rralloi odën dhe iu rrek punëve, sepse pau se koha kishte ndërruar me të gjitha. Pau por se edhe kjo kohë ka njerëz të mirë e të shëndoshë, por që heshtin, sepse heshtja dual për do punë tjera e përfshiu mandej të gjitha punët njerëzore. Dosido por me rëndësi është vepra e mirë, të cilën mund ta bën çdo njeri me zemër të mirë, kurse punët tjera që vijnë drejtohen lehtë kur ka njerëz të mirë!
-II-
Kështu kur njeriu nuk shkon rrugës së mbarë, shkon shtrembtë, dhe ajo udha e shtrembtë e çon njeriun në fund para shkatërrimit. Para shkatërrimit vjen marrëzia e para marrëzisë ndodhin shumë padrejtësi që sjellin përçarje të mëdha. Shkaku pse ndodhin përçarjet janë sjelljet jashtë rendit dhe natyrës njerëzore. Kjo do të thotë se janë veprat jonjerëzore që bëjnë përçarje, prej të cilave vijnë ngatërresat. Nga ngatërresat ndodhë herët a vonë një ngatërresë e rëndë me pasoja, që ndodhë nga marrëzia. Është marrëzia që prodhon ngatërresa dhe nga marrëzia vjen shkatërrimi.
Nga Lufta e Dytë botërore, një grup partizanësh hyjnë në fshatin tonë dhe kërkojnë bukë. U thonë lagjja të pritnin pak sa t’u bënin bukën, me mish e me gjëra tjera, por partizanët kërkojnë veç bukë dhe diçka me bukë, pa hyrë brenda –dhe si marrin bukën me djath, me qepë, turshi, ndonjë rriskë mish, ikin.
Mandej në lagje hyjnë pas do dite ballistët. Ata posa hyjnë kërkojnë nga shtëpitë e para të prenin lopë e kie a qe si po thuhet tani. Ata të lagjës mandej pas do kohe ua bëjnë bukën me mish, raki, meze, e të tjera. Dikur vonë një i lagjës bisedon me komandantin ballist:
-A bre zotëri, ju sa hytë në krye të lagjës, kërkuat të prejmë lopë e kie, e t’u sjellim raki e meze, -po para do dite hynë këtu do partizanë, që kërkuan shpejt bukë thatë a me çkado diçka e si muarën bukën shpejt u larguan!…
-Aha! –ia kthen komandanti ballist, -Të kuptova çka po don të thuash!? Shiko ti: kështu është de!…Nëse e marrin partizanët pushtetin, do të hani bukën thatë ashtu si e kanë ata gjithë jetën, -po poqese e marim pushtetin ne, do të hani kështu, si hamë ne tani!…
Ishte kështu mbreti mongol nga Mesjeta që pushtoi gjithë tokat kineze dhe që desh të pushtonte edhe tokat japoneze por që furia e dallgëve të detit i mbyti dy herë të gjithë, me qindra mijëra. Japonezët të mrekulluar nga dallgët e detit që e luftuan armikun e pandalshëm atëherë dhe që i shpëtuan nga zhdukja, kremtuan atëkohë dhe ngritën legjenda shumë, për Fuqinë e Zotit në nevojë kur ishin dhe kur i shpëtoi e i ruajti nga shkatërrimi. Ashtu nga ajo ngjarje doli legjenda për Kamikazaën, që në gjuhë të tyre thoshte “Zoti shpëton”!
Edhe ne Zoti na shpëtoi!
Traditat e mira dhe normat e sjelljes kanë ditur të ngriten në parime të jetës tek popujt. Poant D ‘ Honor ishte Pika e Nderit tek francezët, mandej gjermanët dhe tjerët përreth tyre e me ta, që tregonte qëllimet gjithnjë kthyes të mirë të njerëzve kah vlerat dhe ripërtëritja për mirë në racë njerëzore. Të besojmë se edhe ne do të kthehemi njëherë, një mot, të mos them më sakt “një ditë”, drejt vlerave të popullit e normave fisnike që ishin gjithnjë e që tani ranë përtokë për shumë çka.
Poant D’Honor! Pika e NderitTë besojmë se do të kthehemi për mirë, siç u kthyen të tjerët dhe siç u kthy vetë populli ynë në të kaluarën shumë e shumë herë. E keqja nuk mund të zë vendin e së mirës, sepse e keqja sikur armiku nuk mund të jetë e mirë dhe njësoj sikur e mira. Nuk kam ditur se ka kaq të paditur nëmes nesh, kaq të strukur pas të tjerëve me primitivizmin e skajshëm tinëzar e për të keq për çdogjë. Mandej nuk e paskam ditur se të tillët do të jenë të lavduar dhe të thirrur e zgjedhur !
Kështu, dituria dhe marrëzia shkojnë bashkë, si dy njerëz miq, që shkojnë ndër miq dhe që secili ka tregimin e vet interesant dhe për mësim në jetë. I mençuri i ditur len diturinë dhe i marri fuqinë , por në të vërtetë është diçka krejt tjetër në jetë. Ndihma vjen sepse është thënë se do të vjen, pa marrë parasysh kush e bjen dhe si duket ai që e bjen!
Mbet kështu të besohet se një punë që niset me dashje që të kryhet, do të kryhet herdo –kurdo, me ndihmën që vjen nga premtimi, -nga dikah e prej dikujtë, -dhe se mu ky është besimi, -që të besohet në gjërat e premtuara para se të ndodhin!