(2LONLINE) – Përkundër vështirësive për zhvillimin e aktiviteteve të përditshme e në mungesë të mbështetjes institucionale nga niveli lokal, Handikosi vazhdon edhe më tutje të ofroj shërbime për anëtarët e Handikosit në Komunën e Gjilanit, thanë përfaqësues të këtij organizmi.
Fatmir Shurdhani, përfaqësues i Hadnikos ka bërë me dije se Handikosi përfitoi mjete ortopedike ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara me vlerë prej 3000 euro, pas kërkesës që ia bëri nivelit qendror, Drejtorisë së Handikosit.
“Kemi pranuar disa karroca të reja, shëtitore, kukëza nën bërryl dhe kukëza nën sqetulla. Ne jemi të vetëdijshëm se këto mjete nuk mjaftojnë për anëtarët e komunës së Gjilanit, por kjo është vazhdimësi, dhe në këtë mënyrë kemi mundësinë me afrua shërbime me mjete ndihmëse në çdo muaj për gjatë tërë vitit 2014 dhe më tutje”, tha ai.
Sipas tij, këto mjete janë të destinuara për ata anëtarë të cilët kanë bërë kërkesa për këto mjete Ndryshe, krejt këtë punë stafi i Handikosit nga 01.01.2014 është duke e bërë në baza vullnetare.
“Ditë e më tutje Handikosit është duke iu vështirësua qëndrueshmëria. Ne mendojmë që ka kalua koha e vullnetarizmit. Kryetari i komunës Lutfi Haziri në takimet të cilat i kemi pas ka thënë se përkundër vështirësive që i ka komuna ofrimi i shërbimeve për qytetarët e komunës nuk guxon të çalojë, njëherit ka premtuar se nga 01.01.2014 ju do të kemi paga të dinjitetshme. Ne kujtojmë se edhe personat me aftësi të kufizuara janë pjesë e shoqërisë dhe kërkojnë nga ne ofrim të shërbimeve për nevojat e tyre andaj ne me mundësit tona do te mundohemi që brenda mundësive tu ofrojmë shërbime e sidomos fëmijëve me aftësi të kufizuara në rehabilitimin e tyre gjegjësisht integrimin e tyre në shoqëri”, ka thënë Shurdhani. /2lonline/