Sot do të shënohet përvjetori i 20-të, i Masakrës së Reçakut, ku nën përkujdesjen e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në bashkëpunim me Komunën e Shtimes, organizohet “Dita Përkujtimore e Masakrës së Reçakut”.
Më 15 janar 1999 forcat serbe ekzekutuan 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.
Ish shefi i atëhershëm i misionit verifikues të OSBE në Kosovë, William Wallker, pas vizitës në këtë vend, ngjarjen e 15 janarit në Reçak e kishte cilësuar si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo deklaratë i parapriu fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe, që zgjatën 78 ditë.
Në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, nga ora 9:00 deri në orën 10:30 do të bëhen homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, ndërsa më pas do të mbahet aktiviteti “Pëllumbat e paqes” mbi Reçak, kurse nga ora 11:00 do të mbahet Akademi Përkujtimore në “Shtëpinë e Kulturës” në Shtime. Në ora 18:00, ndezja e kandilave në platonë e Kompleksit Përkujtimor në Reçak.